Trajneri i portierëve të Kombëtares bën krahasimin mes Berishës dhe Strakoshës

Trajneri i portierëve të Kombëtares, Ilir Bozhiqi, bëri një krahasim të shkurtër mes dy portierëve, Thomas Strakosha dhe Etrit Berisha.

“Janë të dy portierë shumë të mirë, por jo të barabartë. Në futboll nuk ka portierë të barabartë. Berisha ka lëvizje më të shpejta të këmbës në portë, ndërsa Tomi (Strakosha) është më eksploziv. Berisha është më fleksibël dhe qëndron më afër tokës, ndërsa Thomasi qëndron me të dyja këmbët në tokë dhe përqendrohet gjithmonë te topi”, analizon për “Panorama Sport” përgatitësi i “gardianëve” në ekipin kombëtar .

“Të dy bëjnë zgjidhjen më të mirë të mundshme në raste. Unë jam shumë i lumtur dhe i kënaqur që punoj me ta, pasi çdo këshillë e kuptojnë menjëherë dhe ta bëjnë punën e lehtë. I ndoqa të dyja ndeshjet e luajtura në Kupën e Italisë dhe më vjen keq që tani nuk janë më, por performancat e tyre ishin të shkëlqyera. Unë jam krenar që i stërvis në Kombëtare”, ka thënë Ilir Bozhiqi në analizën e bërë për dy portierët kuqezinj.