Ish-Presidenti Nishani: Skandalet e qeverisë janë kthyer në rutinë ditore, dosja Tahiri më kriminalja...

Skandalet qeveritare dhe të zyrtarëve të lartë në Shqipëri janë pothuajse të përditshme. Kështu shprehet ish-Presidenti Bujar Nishani, në një intervistë për Bota Sot, ku thekson se tashmë ato janë kthyer si fenomen që po merr statusin e realitetit rutinor ditor. Referuar hetimeve për ish-ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri, ish-Presidenti Nishani thekson se përfshirja e tij në rrjetin e narkotrafikut masiv drejt Italisë nuk është thjesht një skandal.

“Është një veprimtari e mirëfilltë e krimit organizuar e ngritur mbi një platformë kombëtare të narkotizimit të vendit me destinimin drejt Evropës. Është një rast unikal në Evropë. Pavarësisht minimit që po i bëhet aktualisht hetimit nuk do të mundet të harrohet dot dhe të digjet. Ajo është dosja më kriminale në historinë e Evropës (në kuptimin e përfshirjes së një zyrtari të lartë shtetëror)  në këto 25 vitet e fundit”, thekson Nishani.

Ai ka folur edhe rreth deklaratave të fundit të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama lidhur me një President të përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë. “Armiqtë e pavarësisë së Kosovës e përdorën mjeshtërisht atë deklaratë për të ndaluar përkohësisht ato njohje të reja. Të jem i sinqertë unë nuk besoj se Kryeministri i Shqipërisë është i interesuar të dëmtoj Shtetin e Kosovës”, ka thënë Presidenti Nishani.

Pjesë nga intervista

Si e vlerësoni rrjedhën politike aktualisht në Shqipëri?

Bujar Nishani: Situata politike në Shqipëri është drejt një kolapsi të plotë me pasoja shumë të rrezikshme për stabilitetin dhe mbi të gjitha demokracinë. Po tentohet të konsolidohet një sistem i koalicionit të autoritarizmit të pushtetit politik dhe ekzekutiv me botën e krimit dhe dhunës së rrugës si kërcënim ndaj qytetarit që kundërshton status-quon e varfërimit dhe tkurrjes së lirisë për shoqërinë. Shoh me keqardhje se kjo situatë që po fryhet përditë e më shumë po nënvleftësohet nga aktorët vendas dhe të huaj. Përfshij këtu edhe aktorët e huaj, jo se ata kanë përgjegjësi për jetën e qytetarëve të Shqipërisë por për problemet e rënda që ata do të duhet të përballin nga destabiliteti politik dhe social i Shqipërisë që do prekë edhe rajonin më pas. Kjo, për fat të keq ka ndodhur edhe në të shkuarën dhe duket që nuk janë nxjerrë mësime. Situata politike edhe në vendet e tjera të rajonit është gjithmonë e ndezur por rasti i Shqipërisë është i një lloji krejt të veçantë. Krimi i organizuar dhe individë me profil shumë të fortë kriminal kanë vendosur një autoritet të fortë në përcaktimin elektoral dhe kontrollin e institucioneve në vend. Paralelisht me këtë thellohet varfërimi ekonomik i qytetarëve në mënyrë të dhimbshme. Shumica e qytetarëve po e shohin zgjidhjen tek largimi. Shqipëria rezulton vendi i dytë pas Sirisë, që është në luftë, me numrin e qytetarëve që largohen për azil në Evropë dhe SHBA. Tashmë që politika e pritjes së emigrantëve do të pësojë një tkurrje të fortë, akumulimi do mbetet brenda vendit deri në eksplodim. Kjo duket si një tablo fataliste por kjo është e vërteta fatkeqe dhe nëse do vijojmë ta neglizhojmë nuk do mundet ti shpëtoj askush valës së eksplodimit social.

Kanë ndodhur disa skandale po me ministrat e kësaj qeverisje.  Konkretisht ‘skandali’ Tahiri, sa është e qëndrueshme Qeveria 2, e Ramës dhe a ka brenda saj edhe skandale të tjera të paditura për publikun?

Bujar Nishani: Skandalet qeveritare dhe zyrtarëve të lartë në Shqipëri janë pothuajse të përditshme. Shikoni për shembull se si mijëra të mjerëve dhe të pamundurve fizikisht ju hoq ndihma ekonomike dhe nga ana tjetër pesëfishohet buxheti i shpenzimeve operative për zyrtarët. Dëgjojmë çdo ditë nominime në poste të rëndësisë së veçantë të vendimmarrjes institucionale të personave të zbuluar dhe penalizuar për veprimtari kriminale. Skandale të tilla ka pothuajse çdo ditë e për këtë “skandali” si fenomen po merr statusin e realitetit rutinor ditor. Ndërsa përfshirja e Ministrit të Brendshëm Tahiri në rrjetin e narkotrafikut masiv drejt Italisë nuk është thjesht një skandal. Ajo është një veprimtari e mirëfilltë e krimit organizuar e ngritur mbi një platformë kombëtare të narkotizimit të vendit me destinimin drejt Evropës. Është një rast unikal në Evropë. Pavarësisht minimit që po i bëhet aktualisht hetimit nuk do të mundet të harrohet dot dhe të digjet. Ajo është dosja më kriminale në historinë e Evropës (në kuptimin e përfshirjes së një zyrtari të lartë shtetëror)  në këto 25 vitet e fundit. Në radhë të këtij profili janë gjithashtu dosje të rënda si ajo e likuidimit të kompanisë CEZ, afera e përdorimit ilegal të kompanisë ARMO, grabitja e disa qindra milion euro në dosjen CHECK UP, INCENERATORET e kështu me radhë disa dosje që në Shqipëri tani kanë sinonimin e “peshku i madh”.