Trajneri i ri i Kosovës ‘pushton’ mediat ndërkombëtare: S’jam Mourinho, as Guardiola, por...

Bernard Challandes u emërua sot trajner i Kombëtares së Kosovës, duke zëvendësuar të larguarin, Albert Bunjaku.

Emërimi i 66-vjeçarit Challandes nuk ka lënë pa zënë vend edhe në mediat e huaja.

Është agjencia e lajmeve “Associated Press” ajo që ka përhapur lajmin nëpër botë për ndryshimet në stolin e Kosovës.

Emërimi i Challandes ka qenë kryelajm edhe në mediat zvicerane, atje ku është lindur, rritur dhe ku ka ushtruar profesionin e trajnerit, duke udhëhequr disa skuadra vendase.

Trajneri i sapoemëruar i ekipit kombëtar të Kosovës, Bernard Challandes, ka thënë se mund të mos i ketë aftësitë e trajnerëve të mëdhenj si Jose Mourinho dhe Pep Guardiola, por u zotua se do të punojë shumë për ta çuar Kosovën përpara.

“I njoh futbollistët e Kosovës dhe e njoh mentalitetin e tyre. Kam punuar shumë me lojtarë shqiptarë në Zvicër, si Valon Behrami, dhe e njoh mentalitetin e tyre, të cilët e duan gjithmonë fitoren. Prandaj e kam pranuar ftesën me marrë kombëtaren e Kosovës. Nuk jam Mourinho as Guradiola por dua të bëjë diçka më shumë për ta dhe të çoj Kosovën përpara”, ka thënë zvicerani.

Challandes pritet të debutojë në stolin e Kosovës në miqësoren e 24 marsit kundër Madagascarit, ndërsa tri ditë më pas do të ketë një tjetër sfidë testuese, miqësoren kundër Burkina Faso, që do të zhvillohet me 27 mars.