Tabaku kundër Ahmetajt: Rama të kërkon të gënjesh për paratë e drogës që po investohen në ndërtim

Partia Demokratike ka rrëzuar poshtë me shifra dhe e ka konsideruar gënjeshtar, Ministrin e Ekonomisë Arben Ahmetajn sot pas një konference shtypi lidhur me burimet "e pastra" të financimit të ekonomisë së vendit.

Jorida Tabaku, Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, analizoi shifrat e INSTAT-it për lejet e ndërtimit që janë rritur ndjeshëm në Tiranë pas ardhjes në krye të saj të Erion Veliajt dhe vërejti se ato janë rritur paralelisht me kanabizimin e vendit.

"Ministri i gënjeu shqiptarët, - tha Tabaku, -  kur tha se ndërtimi në Shqipëri është financuar nga burime zyrtare të sektorit bankar dhe se kredia është rritur duke dashur të fshehë të vërtetën se sot fatkeqësisht ekonominë po e financon krimi dhe droga.

Asnjë nga këto nuk është e vërtetë. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it të qeverisë, lejet totale të ndërtimit për vitin e kaluar janë 819 duke u rritur me 88%. Pjesën më të amdhe e zë bashkia e Tiranës, ku lejet e ndërtimit janë rritur ndjeshëm pas ardhjes së Erion Veliaj në bashki ç’ka përkon me projektin e kanabizimit të vendit.

Vetëm në Tiranë, lejet e ndërtimit u rritën nga 90 në 2015  në 106 në 2016 dhe në 231 në vitin 2017. Ahmetaj gënjen për vlerat e dhëna nga bashkia e Tiranës, sepse në vitin 2015, viti ku ai u referua, kjo e dhënë nuk prodhohej nga INSTAT-i.

Nevoja e ministrit të Financave për të gënjyer lidhet me nevojën e Kryeministrit për t’i fshehur shqiptarëve faktin e rëndë se paratë e pista të krimit dhe drogës po investohen në ekonomi dhe kryesisht në sektorin e ndërtimit. Fatkeqësisht ndërtimi është kthyer në lavatriçe të parave të pista dhe krimit," theksoi Tabaku.