VIDEO/ Madhështia e kanioneve të Osumit në dokumentarin e televizionit belg

Kanionet e Osumit, Skrapar, të cilësuara si “Koloradot” shqiptare kanë tërhequr vazhdimisht turistët vendas të aventurës në vendin tonë, por kanë mahnitur me bukurinë e tyre edhe të huajt.

Së fundmi madhështia e kanioneve të Osumit, ishte në qendër të programit televiziv “Bartel in Der Wild”, nga më të ndjekurit i televizionit kombëtar publik në Belgjikë “4”, i cili shoqëron 12 persona të famshëm, që jetojnë mes vendeve të zhvilluara dhe jetës luksoze të qytetit, për të përjetuar natyrën më të egër dhe të pashkelur të Botës.

Javën e kaluar u transmetua aventura e aktores Barbara Sarafian dhe prezantuesit e shkrimtarit Pedro Elias, një dokumentar prej 45 minutash, ku eksploruan këtë nëntor për 72 orë Kanionet e Osumit, Skrapar dhe mbijetuan mes botës së egër të kanioneve të Shqipërisë me kamping, kajak dhe zbritjes me litarë.

Autori i programit Bartel thotë: “Ndodhemi këtu në jug të Shqipërisë, në vendin e quajtur Skrapar, ku kalon lumi Osum dhe ky lumë ka krijuar 3 milionë vite më parë këto kanione madhështore që quhen kanionet e maleve të Skraparit. Këto kanione do përpiqemi t’i njohim në 72 orët e ardhshme me Barbara Sarafian dhe Pedro Elias. Shpresojnë të jenë të përgatitur mirë, pasi do jetë e vështirë për ta. Kemi ardhur në vendin e bukurive të pazbuluara. Aty ku gjërat shumë të vogla të bëjnë të lumtur. Në darkë kur ulesh rreth zjarrit kujton gjithçka çfarë ke parë dhe përjetuar. Kjo është një kënaqësi e paparë”.

Aktorja Barbara Sarafian është e mahnitur dhe frymëzuar nga natyra e këtij vendi të mrekullueshëm.

Kur kalon nëpërmjet shpateve të kanionit, para se t’í zërë nata, sheh gdhëndien e tyre dhe thotë: “ Arkitektët Wright janë bazuar në veprat e tyre dhe frymëzuar nga këto kanione. Të gjithë artistët e mëdhenj frymëzohen nga natyra dhe veprat që ndërton ajo.”

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ka publikuar në rrjetin social Facebook, lajmin për transmetimin e këtij dokumentari në televizionin kombëtar publik në Belgjikë “4”.

Pamjet mbresëlënëse të natyrës në këtë kanion e bëjnë atë një nga më tërheqësit në rajonin e Ballkanit. Kanioni është krijuar prej forcave gërryese dhe tretëse të lumit Osum, të ushtruara në masën shkëmbore gëlqerore të strukturës antiklinale të Çorovodës dhe është rreth 13 km i gjatë, nga 4 deri në 35 m i gjerë, i thellë deri në 70-80 m, me shpate vertikale. Koha e formësimit të tij mendohet të jetë 2 deri në 3 milionë vite më parë./atsh