Policia që deshën dhe që prap e duan

Policia që dje e deshën korrte hashash. Pronarët e hashashit nuk diheshin!

Policia që duan sot, magazinon Kokainë. Pronarët e saj prap nuk dihen!

Njësoj! Si me Policinë që deshën ashtu edhe me Policinë që duan! Trafikantët nuk gjenden, nuk dihen, nuk kapen...

Dallimi është te lloji dhe cilësia e mallit. Dje flitej për hashash, sot për kokainë. Normal. Qeveria ka më shumë stres dhe kërkon "kualitet të lartë" dhe financim efektiv...

Ndërkohë opinionit publik i serviren vetëm histori me "trima" e me "forca ligjesh". Asnjë autor, përveç një të dyshuari edhe ai formalisht është nën alibinë ligjore të pronësisë së bananeve. Kjo tregon se kapaciteti HETIMOR i shtetit është 0.

Si në të shumtën e rasteve! Pra asgjë e re! Kot fryhen se kanë bërë reforma! Ja ku e kanë pasojën.

Policia më së pari ka detyrë të gjëmojë e të kapë kriminelët e jo të mbledhë dhe magazinojë produktet e krimit.

Ndaj ai operacion që bënë, të cilin e quajtën SHOË (në fakt për shoë u bë), në rastin më të mirë ishte i papjekur dhe jo profesional.

Nëse nuk është kështu, i bie të jetë kriminal sepse është bërë për të fshehur pronarët e atij malli.

Të gjitha shenjat (në fakt edhe Kryeministri e pranoi) janë që ajo drogë do përpunohej ende këtu nga "porositësit" dhe do paketohej për tu dërguar në perëndim. Këtë tha edhe Kryeministri: "droga ishte e destinuar jo për konsum vendas".

Por operacioni SHOW, e ndërpreu ciklin, pa lejuar hetimin të shkojë tek pronarët. Ndoshta nëpërmjet tyre edhe tek politikanët pushtetarë...

Prandaj Policia që deshën, e duan prap! E duan për magazinë droge dhe jo kapje të trafikantëve.

Tashmë nuk më çudit as Prokuroria. Ajo është vartëse e Ministrisë Brendshme...

Ndërkohë trafikantët që hë për hë publiku i njeh me kodet "777" apo "024", etj të stampuara në ato pako kriminale, do ti marrim vesh më vonë, për fat të keq nga lajmet e kronikës së zezë...

Prandaj e duan Policinë, siç e deshën!