Defekti në termocentral, probleme furnizmi me energji në Kosovë

Duke filluar nga sot e deri në një afat të pacaktuar, pjesa më e madhe e Kosovës do të mbetet pa energji elektrike.

Në një komunikatë për media, KEDS-i ka njoftuar se kjo do të ndodhë pasi në orët e hershme të mëngjesit ka rënë njësia BE e Termocentralit Kosova B.

KESCO është njoftuar nga KEK-u se në në orët e hershme të mengjesit ka rënë nga sistemi në  mënyrë  të  paplanifikuar njësia B2 e Termocentralit Kosova B. Rënia e këtij blloku ka krijuar mungesë të menjëhershme të mbi 250 megavatë/orë energji elektrike, gjë që e ka vështirësuar tej mase furnizimin me energji elektrike. Në këtë situatë, KOSTT e ka urdhëruar KESCO që të fillojë me ndërprerje të energjisë elektrike. Si pasojë, një pjesë  e madhe e vendit do të mbetet pa energji. Pasi që bëhet fjalë për reduktim të paplanifikuar të rreth 30 për qind të prodhimit, për informata shtesë në situatën e krijuar, ne ju kishim lutur ti drejtoheni KOSTT-it dhe KEK-ut”, thuhet në njoftim.

“KESCO, ashtu sic edhe parashihet me rregullat dhe obligimet është duke bërë maksimumin që të sigurojë energjinë elektrike të mjaftueshme për ditën e nesërme, nga importi. Por, kjo nuk është aspak e lehtë, duke pasë parasysh acarin e ditëve të fundit, që ka rritur jashtëzakonisht shumë kërkesën për energji elektrike në rajon”, thuhet në komunikatë.