DEA dhe EUROPOL u habitën kur Policia shqiptare kapi kokainën në Durrës

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka konfirmuar edhe një herë se aksioni i kapjes së 613 kg kokainë në Durrës është bërë nga organet ligjzbatuese shqiptare.

Në studion e “Real Story”, Xhafaj sqaroi edhe ‘përplasjen’ e deklaratave. Ministri theksoi se Rama e ka telefonuar për të marrë informacion mbi aksionin dhe, sipas tij, nuk kemi të bëjmë me qëndrime të ndryshme.

“Kryeministri më telefonoi mua për të dalë në një deklaratë për kokainën e kapur. Si ministër i Brendshëm i dhashë informacion të plotë. U abuzua me deklaratat e mia. Në procesin identifikimit të kokainës dhe personave janë përfshirë vetëm agjencitë ligjzbatuese shqiptare“, tha Xhafaj

Ministri deklaroi se pas kapjes së kokainës janë njoftuar vendet partnere.

“Por kemi kërkuar bashkëpunim me ndërkombëtarët që në orët e para të mëngjesit. Kemi kërkuar informacion për lëvizjen e mallrave nga Kolumbia. Kemi shkëmbyer informacion me DEAN, EUROPOL dhe agjencitë gjermane. Pra, agjencitë e huaja u informuar pas aksionit tonë. Ato u çuditen me këtë fakt dhe u vunë në lëvizje për të bashkëpunuar me ne”, tha Xhafaj

Ministri paralajmëroi edhe disa aksione të tjera me vendet partnere.