Shehi: Kryeprokurori i antimafias italiane rrëzoi Ramën, jemi afër një sistemi kriminal...

Dashamir Shehi, kryetar i LZHK dhe deputet i opozitës, i cilësoi deklaratat e kryeprokurorit të antimafies italiane, si të tmerrshme, të cilat nëse do të bëheshin në një vend tjetër, do të kishin rrëzuar qeverinë

“Këtu para një jave erdhi kryeprokurori i antimafies. Unë ju kam sugjeruar kolegëve opozitarë që të mos dalim në media por të interpretojmë atë që tha ai.

Ai tha gjëra të tmerrshme për këtë qeveri, në një vend tjetër duhet të kishte rënë me kohë. Tha që krimi shqiptar është i lidhur me politikën. Kur krimi është i lidhur me politikën është regjimi kriminal.

Tha që mafia shqiptare kontrollon gjysmën e transportit të kokainës. Dhe e treta, tha që kanabisi është shumë problem për ne. E di pse nuk mbjellin më, sepse kanë kaq shumë në magazina.

Po të kesh patate, do të mbjellësh të reja? Për sa kohë nuk janë zbrazur magazinat pse duhet të mbjellin”, tha Shehi.

Në studion e Oranews, gjithashtu, deputeti i opozitës theksoi se Rama kërkon të varfërojë popullin në mënyrë që të mund të veprojë lehtësisht.

“Lekët ja mbledh hallexhinjve dhe i rishpërndan në një grup fare të vogël prej 15 vetash. Duke pasur një varfëri ekstreme, ai bën atë që i thotë mëndja e tij për të bërë. Ndërton kulla, jep koncesione etj", u shpreh ai.

Sipas Shehit, Rama nuk do të bëjë reformë, por do të mbledhë lekë nga populli dhe tua shpërndajë një grushti njerëzish.

 

Kreu i LZHK gjithashtu theksoi se vendi është afër një sistemi kriminal.  “Ne nuk mund të jemi në situatën e sistemit kriminal, por edhe shumë larg tyre nuk jemi. Megjithatë ngjarjet e fundit, droga tregojnë se ne jemi përtej tyre”, tha ai.