Kush e urdhëroi vrasjen e gazetarit sllovak, Kuciak, qeveria e majtë apo mafia italiane?

Ndër të gjitha shtetet europiano-qendrore Sllovakia konsiderohet si vend model. Ndryshe nga Polonia, Çekia apo Hungaria vorbulla populiste në Sllovaki është e kufitar. Vazhdimisht kryeministri sllovak Robert Fico, thekson se vendi i tij bën pjesë në bërthamën e Europës dhe luan një rol konstruktiv në të, pavarësisht mosmarrëveshjeve lidhur me politikën e refugjatëve të BE-së. Asnjë ekonomi e Europës Qendrore nuk është kaq e lidhur me BE-në sa ajo sllovake, e cila që në vitin 2009 u fut me sukses në zonën e Euros.

Por tani papritur pëson një krisje ky imazh i harmonisë: natën e së hënës (26.02) u vra gazetari 27-vjeçar Ján Kuciak, dhe e fejuara e tij Martina Kusnírová në shtëpinë e tyre në fshatin Velká Maca, 60 në lindje të Bratislavës. Ata u gjetën të vrarë me të shtëna në kokë dhe në kraharor. Eshtë një vrasje, që e ka tronditur thelle Sllovakinë, sepse me sa duket ajo ka të bëjë me punën e Kuciak-ut si gazetar investigativ - në këtë pistë janë duke hetuar hetuesit sllovakë.

A është në lojë mafia italiane?

Udhëheqja sllovake u shpreh e shokuar për ngjarjen dhe nuk u kursye me fjalë të mëdha: kryeministri Robert Fico e quajti këtë një "sulm të paparë ndonjëherë ndaj lirisë së shytpit dhe demokracisë". Qeveria e tij, sipas tij, do të verë menjëherë në dispozicion një milion Euro shpërblim për informacionet, që ndihmojnë në kapjen e dorasëve. Shefi i policisë sllovake Tibor Gaspar i cilësoi vrasjet si "ekzekutim profesionist", që duket se kanë të bëjnë me punën e Kuciak-ut. Me këtë Sllovakia tani paraqitet si një vend, ku gazetarët e padëshiruar jo vetëm trëmben, tha gazetarja investigative Daphne Caruana Galizia.

Eshtë ende e paqartë kush fshihet pas këtij sulmi vrasës. Motive ka plot: gazetari redaktor i portalit Aktuality.sk muajt e fundit ka raportuar për lidhjet mes qeverisë së majtë nacionaliste të partisë socialdemokrate SMER lidhur me sipërmarrjet e korruptuara dhe kriminalitetin e organizuar si dhe për bizneset e dyshimta të imobiljeve të biznesmenit të njohur sllovak Marián Kocner. Për këtë arsye ai edhe ishte kërcënuar prej këtij të fundit. Nga ana tjetër ka edhe një version, se vrasjen mund ta ketë kryer mafia italiane. Gazetari britaniko-sllovak Tom Nicholson njoftoi në mediat sllovake, se Kuciak dhe ai kanë investiguar lidhur me bizneset abuzive të mafias italiane në Sllovaki me paratë e BE-së.

"Kushdo që të fshihet pas kësaj vrasjeje, ajo është një vrasje e tmerrshme dhe shokuese që i ve një pikëpyetje të madhe rrugës së ndërlikuar të Sllovakisë drejt një shteti ligjor", thotë për DË politologu sllovak Grigorij Meseznikov nga Instituti i Punëve Publike (IVO) në Bratislavë.

Një listë e gjatë me sulme

Ndonëse në historinë e deritanishme të Sllovakisë që nga pavarësia në vitin 1993 asnjëherë nuk është vrarë një gazetar për shkak të punës së tij, lista e sulmeve kundër tyre është e gjatë. Një nga rastet e fundit ishte në qershor 2016 zjarrëvënie ndaj makinës së gazetarit investigues Milos Majko. Dy të tjerë gazetarë janë zhdukur prej vitesh pa lënë gjurmë. Në prill 2008 u zhduk Pavol Rypal, në mars 2015 Miroslav Pejko. Një sërë sulmesh brutale ndaj gazetarëve ka pasur kryesisht në vitet 1990 nën qeverinë gjysmë-autoritare të ish-kryeministrit Vladimír Meciar. Asnjëri nga këto raste nuk është zbardhur.

Edhe qeveria aktuale socialdemokrate nën Robert Ficon ka një raport të vështirë me gazetarët. Fico i ka quajtur ata "idiotë", "hijena", "prostituues antisllovakë" apo "merimanga nevojtoresh", herë pas herë redaktorët e gazetave të mëdha janë përjashtuar nga konferencat e tij të shtypit. Arsyeja për këto etiketime të gazetarëve nga Fico ka pasur të bëjë me investigimet e tyre për afera korrupsioni nga ai dhe partia e tij.

Me vrasjen e Ján Kuciak dhe të fejuarës së tij skandalet e korrupsionit në Sllovaki dalin tani sërish në pah dhe, sikurse thotë politologu Grigorij Meseznikov, kjo mund të behët e rrezikshme për udhëheqjen e vendit. "Nëse qeveria nuk angazhohet maksimalisht për zbardhjen e shpejtë të vrasjes, atëherë edhe ajo vet do të bjerë nën presionin e dorëheqjes"./ DW