VIDEO/ Basha: 5 tonë drogë në Itali, përflitet se janë arrestuar ish-zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar sot se me Edi Ramën, Shqipëria është kthyer në një bazë të krimit të organizuar, në një strehë të tyre për të gjithë Europën. "Si në rastin e Xibrakës, edhe në rastin e 613 kg kokainë, është arrestuar shoferi dhe jo bosët..." tha Basha për mediat në përfundim të mbledhjes së Grupit parlamentar.

Duke iu kthyer një operacioni tjetër të madh antidrogë, në Itali sot, ku ka dhe shqiptarë të arrestuar për 5 ton marihuanë, Basha nënvizoi: "Përflitet se ka figura që kanë pasur pozicione të larta në Policinë e Shtetit midis të arrestuarve; pritet të konfirmohet," - shtoi ai.

"Prej 6 muajsh, - tha Basha, -  kam paralajmëruar se Shqipëria nën Edi Ramën po kalon nga kanabisi tek heroina e kokainaë. Dhe ja ku u vërtetua ngarkesa e djeshme që është lajmi europian dhe botëror: 613 kg kokainë dhe vërteton atë që unë dhe opozita kemi thënë vazhdimisht. Kanabisi ishte vetëm fillimi, kurse tani heroina dhe kokaina janë dy aktivitete kryesore kriminale të krimit të organizuar shqiptar.

Po kështu kemi paralajmëruar se krimi-politika – biznesi janë bërë një dhe kjo vërtetohet nga biznesi që bënte tregtinë e kokainës në Kolumbi, por nga fakti i pranuar nga të gjithë se një sasi e tillë kokaine nuk mund të kalonte në Shqipëri pa garanci politike, pa mbështetje politike të nivelit më të lartë.

Paratë e përfituara nga trafiku kriminal i drogës janë një kërcënim i jashtëzakonshëm për stabilitetin  politik dhe ekonomik të vendit. Vlera e kësaj sasie droge ëhstë 180 milionë euro. Ku do të pastrohen këto para? Së pari në lavatriçen e madhe të pastrimit të parave të pista, në bashkinë e Tiranës, e cila ka dyfishuar lejet e ndërtimit dhe më shumë se dyfishuar sipërfaqet e ndërtimit pas bumit të drogës në vitin 2016. Ndaj dhe vëmendja e Prokurorisë dhe çdokujt që shtësohet për fatet e vendit duhet të kthehet aty ku po pastrohen paratë e krimit, në bashkinë e Tiranës dhe sektorët e tjerë të vendit, që po shkatërrojnë ekonominë, sepse në këtë vend nuk prodhohet e ekportohet asgjë më tepër sesa drogë".