Flet gruaja e vrasësit të dyfishtë në Vlorë: Nuk e dija se Kasemi më tradhtonte...

Entela Pirjasi nga Struma e Fierit, nënë e 2 fëmijëve të mitur, ka pësuar tronditje të mahe kur ka mësuar se bashkëshorti i saj, Kasem Pirjasi, ishte autori i vrasjes së një burri dhe nënës së tij të moshuar në Vlorë por ca më shumë, për arsyen që e kishte shtyrë: lidhjen e tij jashtëmartesore me nusen e viktimës, kushurirë e dytë e saj.

Entela Pirjasi ka thënë se ajo jetonte me burrin dhe fëmijët në kushte të vështira ekonomike në shtëpinë e prindërve të saj në Strum, ku kishte një fëmijë të vogël të sëmurë në shtrat rëndë dhe prindërit e saj të sëmurë.

Entela ka deklaruar se nuk dinte asgjë për lidhjen jashtëmartesore të të shoqit të saj, me një vajzë nga fshati, Hysnie Hoxhallarin, e cila ishte martuar në Vlorë dhe  që u arrestua po ashtu si autore e vrasjes së të shoqit dhe vjehrrës së saj bashkë me Kasemin. 

Ajo tha se ishte kushurirë e dytë me Hysnien nga babai dhe se nuk ia merrte mendja lidhjen mes tyre.  Entela tregoi se Policia e kishte kërkuar Kasemin në shtëpi dhe pastaj ai ishte paraqitur vetë atje.

Entela tha se jetonin në kushte të vështira jo vetëm ekonomike, "një kore buke i dhashë fëmijës së shtrirë" tha ajo duke treguar të voglin që rrinte shtrirë në shtrat dhe se kishte tre fletë me borxhe në dyqan.

Të ardhurat në familje vinin nga  ndihma e tyre dhe nga Kasemi, i cili shkonte rrallëherë në Greqi. Bashkëshortja ka qarë pa pushim gjatë rrëfimit të historisë, duke i mëshuar habisë së madhe të ngjarjes pas varfërisë së tejskajshme dhe vuajtjes deri edhe nga uria në kushtet ku jetonin.