Një markë shqiptare për agrobiznesin dhe zhvillimit të turizmit

USAID dhe Creative Business Solutions kanë prezantuan projektin Brand Albania në mbështetje të agrobiznesit dhe zhvillimit të turizmit në Shqipëri.  

Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi, ministri i Turizmit Blendi Klosi dhe drejtuesja e Misionit të USAID në Shqipëri Dr. Catherine Johnson, diskutuan mbi rëndësinë e projektit dhe rolin e rëndësishëm të bujqësisë dhe turizmit në zhvillimin e ekonomisë shqiptare.

Projekti do të krijojë një trupë kombëtare për një markë të unifikuar të produkteve bujqësore autentike shqiptare dhe integrimin e tyre në nisma për turizmin.

Shtatë institucione publike dhe private do të bashkërendojnë punën për të zbatuar me sukses Projektin Brand Albania. Partnerët kryesorë si anëtarë të Komitetit Drejtues në Projekt janë Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Shoqata Shqiptare e Turizmit, Dretoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës.

Drejtuesja e Misionit të USAID në Shqipëri, Dr Catherine Johnson vlerësoi se përmes këtij projekti nxitet njohja e vlerave të vërteta të produkteve autentike shqiptare në tregjet ndërkombëtare. Një nyjë e rëndësishme kjo, në ndërthurjen dhe zhvillimin e agro-turizmit në Shqipëri.    

“Ne duam t’ju themi se sa shumë Bashkimi Evropian dhe tregjet ndërkombëtare i kërkojnë dhe i tërheqin produktet tradicionale, të cilat janë të certifikuara për cilësinë dhe standardet e tyre. Pikërisht, ky projekt do të nxjerrë në pah këto cilësi për t’i promovuar produktet autentike shqiptare brenda dhe jashtë vendit’, u shpreh ndër të tjera drejtuesja e misionit të USAID në Shqipëri, Dr Catherine Johnson.