Si paralajmëroi SYRI. net 6 muaj më parë: 'Kanabisi-kanabisi, por kokaina po bën kërdinë` dhe një historik i shkurtër

Trafiku i drogave të rënda, heroinës dhe kokainës nëpërmjet Shqipërisë faktikisht nuk është një “histori e re”. Ky biznes kriminal ka nisur që në fillim të viteve 90-të, nga disa individë dhe grupe që “panë botë”, më herët se se të tjerët.

Fakt është gjithashtu, që ky trafik është një kontribuesit kryesorë të lindjes dhe lulëzimit të “kapitalizmit” shqiptarë, veçanërisht në fusha ku kishte uri tregu, si ndërtimi, ai i bar-restoranteve dhe hoteleria. Përgjithësisht ky “biznes”, nuk është ngacmuar nga policia shqiptare. Ndër vite sasitë e kokainës që kapeshin, nuk i kalonin 2-5 kilogramë. Ky lloj trafiku përgjithësisht është bërë në sasi të vogla, nëpërmjet linjave rrugore (heroina) me autobusë udhëtarësh, apo kamionët e tregtisë së konfensioneve, përgjithësisht nga Turqia, por edhe me çanta dhe ngarkesa “të lehta” (kokaina) në rrugë ajrore e detare.

 Por pavarësisht këtij lulëzimi modest, grupet shqiptare janë cilësuar deri në vitin 2014, si të dorës së dytë në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Më herët  ka pasur një tentativë (Dosja “Kokaina”, 2000-2001), për marrjen e mallit direkt nga vendi i origjinës në Amerikën Latine dhe atë të Jugut dhe shndërrimin e vendit tonë, në një pikë magazinim-përpunimi dhe më pas disrtibuimi në Europë. Vetëm ndërhyrja e shërbimeve ndërkombëtare e ndaloi këtë sipërmarrje gjigante, në atë kohë.

Ndër vite gjithmonë me këmbënguljen e ndërkombëtarëve ka pasur ndonjë ndërhyrje të forcave RENEA në qytetin e Fierit, që me kalimin e kohës u konsolidua si qendër e trafikut të kokainës në vendin tonë, por goditjet kanë qen gjysmake dhe kurrë të hetuara deri në fund. E njëjta situatë, edhe me heroinën që shndërroi Elbasanin, si pikë kryesore të transitit Afganistan-Turqi-Bullgari Maqedoni-Shqipëri.

Gjithsesi deri në vitin 2013, në raportet e ndërkombëtarëve vendi ynë nuk futej në “hartën e kuqe” të alertit, për sa i përket kokainës. Por në vitin 2014, me çështje “Xibraka” kemi një zhvillim të rëndësishëm. Ky hetim i ndjekur nga shërbimet e fshehta gjermane që në fillim zbuloi, se grupet shqiptare nga “punëtorë” të këtij trafiku ndërkombëtar, po tentonin sërish të ktheheshin në “kapo” duke mbyllur ciklin e biznesit. Mbyllje e ciklit, do të thotë lidhje direkte me prodhuesit në Amerikën Latine dhe atë të Jugut, transporti në sasi të mëdha i kokanisë së pastër deri në 99%, magazinimi në vendin tonë, përpunimi dhe shumëfishimi i saj dhe shpërndarja në tregun e gjerë europian, nëpërmjet rrugëve të sigurta. Për të realizuar këtë investim që kërkon shuma të mëdha, duhet gjithashtu me patjetër garanci absolute nga politika dhe pushteti.

Edhe nëse anashkalojmë akuzat e opozitës, sipas të cilave pas laboratorit të kokainës në Xibrakë dhe gjithë operacionin gjigant që kishte nisur për ta kthyer vendin tonë në një qendër kryesore të shpërndarjes me shumicë të kokainës në Europë, qëndron vëllai i kryeministrit Rama, të gjithëve ju kujtohet se po të mos ishte këmbëngulja e gjermanëve, për policinë shqiptare të Saimir Tahirit, ai nuk do të kryhej kurrë. Edhe pse shërbimet sekrete gjermane u kishin vënë përgjues në makina, “kokat më lart”, ata me kollare nuk dolën kurrë.

Pas kësaj goditje, për kokainën nuk u dëgjua kurrë më ndonjë lajm nga policia shqiptare, përveç ndonjë goditje rastësore në sasi të vogla spaciatorësh. Ndërkohë kryelajm ishte bërë, kanabisimi i vendit dhe përfshirja direkt  në këtë projekt, e vetë ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe gati gjithë piramidës së policisë së shtetit. Por kur të gjithë merreshin me kanabisin, raportet e ndërkombëtarëve duke nisur që nga Departamenti i Shtetit, Europol, OKB etj, flisnin me shqetësim për shndërrimin me shpejtësi të Shqipërisë, në një pikë kyçe të shpërndarjes së kokainës me shumicë, në drejtim të vendeve të BE-së. Madje gazetarët investigativ të revistës prestigjioze gjermane “Stern” në bashkëpunim me specialistë të shërbimeve të fshehta anti-drogë në vendin e tyre “pikturuan” në kopertinë, edhe autostradën më të re të kokainës në Europë; Shqipëri-Mali i Zi-Serbi-Kroaci-Austri-Gjermani, e më tej.

 Nëse i mbledh të gjitha kapjet e “kokainës shqiptare” (përgjithësisht në Itali, Gjermani e Greqi), që janë bërë gjatë tre viteve të fundit duke përfshirë edhe 613 kilogramët e Maminasit, shifra shkon në rreth 930 kilogram. Duket qartë që ndërkohë që këtu brenda media e pa kapur dhe ajo ndërkombëtare “bërtiste”, kanabisi-kanabisi, kokaina duket se po bënte kërdinë në Shqipëri.

Në vitet 70-80, kokaina kolumbiane përmbyti qytetin e Majamit. Paralelisht me këtë, aty pati një bum të paparë të ndërtimit të kullave të cilat për një kohë të gjatë qëndruan bosh…A nuk të sjell ndërmend Majami i atyre viteve, Tiranë e sotme?!

Gjithsesi në Shtatorin e vitit të shkuar, ndërkohë që të gjithë ishin fokusuar te kanabisi, Syri. Net paralajmëroi: Kanabisi-kanabisi, por kokaina po bën kërdinë!     

Shkrimi i plotë i datës 19 Shtator 2017 me titull; Kanabisi-kanabisi, por kokaina po bën kërdinë

Dje kryeministri i Facebookut Edi Rama, mblodhi Task Forcën për luftën kundër kanabisit dhe u mburr se këtë vit kultivimi i tij është “zero”. Sipas parimit urdhri i dytë anulon të parin, ata që lejuan vitin e shkuar shndërrimin e shumicës së territorit të vendit në fermën më të madhe në botë të kanabisit, sivjet kanë vendosur që ta bëjnë “pushim”.

Pushim për kultivimin e kanabisit, por nga ana tjetër drogat e forta si kokaina, “janë shtruar këmbëkryq” në vendin tonë, si pikë kyçe ndërkombëtare e transitit dhe si treg përdorimi veçanërisht mes të rinjve.

Dje as “kryeministri zero” dhe as shefat e agjencive ligjzbatuese të pranishëm në tryezën për parandalimin e narkotikëve nuk i folën publikut shqiptar për raportin e fundit të zyrës për drogat në OKB, të cilin e kanë mbi tavolinat e zyrave të tyre prej kohësh.

Faktet e fundit zyrtare që vijnë nga përtej oqeanit janë tronditëse dhe nxjerrin zbuluar, se çfarë po ndodh në vendin tonë.

Në “Raportin Vjetor Global Të Drogave” të OKB-së për vitin 2017, publikuar në datën 23 qershor, të ndarë të pesë kapituj të zgjeruar, Shqipëria, si asnjëherë tjetër në raportet e mëparshme, përmendet në pothuajse të gjitha, si një nga vendet kyçe në trafikimin, prodhimin e barit të kanabisit, madje dhe përdorimin e substancave të forta psikotike nga të rinjtë. Shqipëria është gjithashtu një nga vendet me evidenca të forta në përfshirjen e grupeve të krimit të organizuar në trafikun e heroikës, kokainës dhe kanabisit.

Krahas prodhimit dhe trafikimit, raporti jep alarmin se substancat narkotike po përdoren gjerësisht nga të rinjtë shqiptarë. Raportimi më befasues dhe alarmant është ai që e nxjerr vendin tonë si vendin numër një në botë në frymë popullsie, për sa i përket përdorimit të drogës më të fortë dhe të shtrenjtë, siç është kokaina. Sipas hartës, për përdorimin e kokainës, prevalenca vjetore e përdorimit për Shqipërinë ishte 2.5%, dhe përfshin grupmoshat nga 15 - 64 vjeç.

 Kjo është më e larta nga të gjitha shtetet pjesëtare të Kombeve të Bashkuara, që raportohen nga UNODC.

Ky raport ngre alarmin kombëtar, se rinia dhe fëmijët shqiptarë janë në rrezik eminent, nga helmi i drogave të ndryshme dhe shkatërrimi i të ardhmes. Qeveria duhet të ngrejë urgjentisht një Task Forcë, për të monitoruar dhe ndaluar tregtimin dhe përdorimin e drogës në ambiente publike siç janë lokalet e natës dhe veçanërisht nëpër shkollat e ciklit të ulët, të mesëm dhe universitete. Pas njollës që i ngjitën Shqipërisë si ferma më e madhe në botë e kanabisit, renditja si shteti i parë në planet, edhe për përdorimin e një droge të fortë si kokaina është jo e tepërt, por kulmi i asaj që po ndodh në të vërtet, përtej fasadave të qeverisë Rama.