613 kg kokainë në port, kontrollohen edhe 2 kontenierë të tjerë të firmës së bananeve

Pas zbulimit të 613 kg kokainë fshehur në një kontenier me banane të firmës Arbri Garden, Policia ka nisur kontrollin e ngarkesave të tjera të kësaj firme kaluar nga Porti i Durrësit. Mësohet se janë edhe dy kontenierë të tjerë që do të hetohen me imtësi.

Policia ka ushtruar kontrolle në ambientet e "Arbi-Garden" dhe ka arrestuar administratorin e kësaj kompanie, Donaldo Lushaj, 25 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë si dhe shoferi që mori ngarkesën në portin e Durrësit, Armando Pezaku, 25 vjeç, lindur dhe banues në Durrës. 

Sipas ekstraktit të QKR, kompania "Arbri-Garden" me qendër në Maminas, me pronar Arbër Çekaj, është regjistruar në datën 3 maj 2012. Aktiviteti i saj është import-eksport, prodhim dhe tregtim i artikujve të ndryshëm, ndërsa deklaron se ka një kapital prej 20 milionë lekë. 

Arbër Çekaj, i shpallur në kërkim, lidhur me 613 kg kokainë, e sekuestruar mbrëmjen e djeshme në Maminas, në magazinat e firmës “Arbri Garden” rezulton i hetuar nga policia edhe në vitin 2015 me akuzën e Pastrimit të Produkteve të Veprës Penale ose Veprimtarisë Kriminale, referuar nenit 287 të Kodit të Proçedurës Penale.

Burime konfindenciale bëjnë të ditur se ky shtetas ka qenë nën hetim policor në periudhën shtator-tetor 2015, kohë kur në krye të Ministrisë së Brendshme ka qenë Sajmir Tahiri. Hetimet e policisë, sipas burimeve, kanë nisur pasi ka pasur informacione mbi shuma të mëdha që janë transferuar në emër të tij, gjë që ka bërë që policia të ketë dyshime lidhur me aktivitetin.