Sekuestrimi i 613 kg kokainë/ Operacion i nxituar apo qëllimkeq për të fshehur gjurmët e porositësve...

Sot u sekuestruan rreth 613 kg kokainë, e cila ka një vlerë në treg prej rreth 180 milionë euro, dhe që kishte destinacion tregjet europiane.

Operacioni u ndërmorr nga policia shqiptare në bashkëpunim me atë të krimeve të rënda, dhe referuar deklaratave zyrtare, ai ishte një sukses i institucioneve ligjzbatuese shqiptare.

Kjo ishte sasia më e madhe e kokainës e sekuestruar ndonjëherë në territorin shqiptar dhe veç sasisë së kapur, duket se tani për tani strukturat ligjzbatuese në vend mund të kënaqen vetëm me kaq.

Policia arrestoi, të paktën nga deklarimet e deritanishme, dy 25 vjeçarë, njëri administrator i firmës dhe tjetri shoferi i automjetit, që morri ngarkesën nga Porti i Durrësit, deri te magazinat e kompanisë. Policia ka shpallur në kërkim Presidentin apo pronarin e kompanisë.

Por sot askush nuk ka pohuar se kush janë porositësit e drogës, garantuesit apo rrjetin që do të bënte shpërndarjen e tij. Referuar sasisë së madhe, 613 kg kokainë, duket e pabesueshme që ajo të jetë nisur nga vendet e Amerikës Latine drejt Shqipërisë, pa një garanci apo porositësi të jetë pa një mbështetje apo suport të fortë.

Në këto kushte duket se operacioni policor ose ka qenë i nxituar, thjesht për të arritur një sukses të momentit, ose ka qenë qëllimkeq, duke i dhënë mundësi porositësit ose porositësve të humbin gjurmët.

Nëse do të bëhet një krahasim mes këtij operacioni dhe atij të Xibrakës, ku u kap një laborator droge kokaine, në vitin 2015, duket se janë bërë të njëjtat gabime trashanike.

Edhe në atë kohë u kap një sasi droge, u vunë në pranga disa persona, por kurrë nuk u arrit të kapej koka apo kokat e grupit kriminal, që garantonin hyrje-daljet e specialistëve nga Kolumbia që merreshin me përpunimin e drogës, sasitë e drogës që hynin dhe dilnin nga Shqipëria, deri në zbulimin e saj nga agjensitë ligjzbatuese të vendeve partnere.

Pak a shumë si 3 vite më parë, ashtu edhe tani, u bënë të njëjtat gabime, të qëllimshme apo të nxituara, por që çuan në sekuestrimin e drogës por jo të atyre që mund të quheshin “peshqit e mëdhenj”.

Në rastin më të mirë, në sekuestrimin e 613 kg kokainë mund të quhet një operacion i nxituar, thjesht një sukses më shumë apo një medalje më shumë në kapjen e një sasie mjaft të madhe droge, por që suksesi apo medaljet mund të shumëfishoheshin nëse do të kishte një zbulim të plotë të strukturës që garantonte hyrjen e drogës, shpërndarjen e saj.

Çfarë do të ndodhte nëse policia shqiptare do të kërkonte ndihmën e agjensive ligjzbatuese të vendeve partnere, për të gjurmuar deri në fund operacionin, pra për të zbuluar porositësit, garantuesit dhe çdo hallkë tjetër?

Çfarë do të ndodhte nëse do të kërkohej bashkëpunim me palën italiane, gjermane, amerikane, apo çdo strukturë tjetër të specializuar në luftën ndaj trafikut ndërkombëtar dhe nuk do të mjaftohej thjesht me sekuestrimin e sasisë së drogës?

Referuar vetëm sasisë, e cila është e konsiderueshme jo vetëm për Shqipërinë, por ndoshta edhe për shumicën e vendeve europiane, porositësit apo garantuesit e drogës, duhet të kenë mbështetje, suport apo lidhje, të çdolloji qofshin ato, aq më tepër kur vlera e saj llogaritet në rreth 180 milionë euro.

Edhe nëse kjo sasi droge do të ndahej në sasi më të vogla për t’u nxjerrë jashtë vendit, sërisht do të duhej një suport për t’u kaluar në pikat e kalimit kufitar apo në rrugë të tjera, çka do të thotë se kemi të bëjmë me një grup apo strukturë kriminale, e cila sot për sot nuk është kapur nga policia.

Nxitim apo qëllim i keq, këtë do e tregojnë hetimet e mëtejshme të Prokurorisë së Krimeve të Rënda apo agjensive të tjera ligjzbatuese, të cilat kanë për detyrë të zbardhin ngjarjen.

Ajo që dihet sot është që veç sasisë së kapur, dy 25 vjeçarëve të arrestuar dhe një biznesmeni të shpallur në kërkim, pikëpyetjet janë të shumta...