613 kg kokainë e sekuestruar/ Biznesmeni Çekaj i hetuar nga policia edhe në 2015, ja për çfarë dyshohej...

Arbër Çekaj, i shpallur në kërkim, lidhur me 613 kg kokainë, e sekuestruar mbrëmjen e djeshme në Maminas, në magazinat e firmës “Arbri Garden” rezulton i hetuar nga policia edhe në vitin 2015 me akuzën e Pastrimit të Produkteve të Veprës Penale ose Veprimtarisë Kriminale, referuar nenit 287 të Kodit të Proçedurës Penale.

Burime konfindenciale bëjnë të ditur se ky shtetas ka qenë nën hetim policor në periudhën shtator-tetor 2015, kohë kur në krye të Ministrisë së Brendshme ka qenë Sajmir Tahiri. Hetimet e policisë, sipas burimeve, kanë nisur pasi ka pasur informacione mbi shuma të mëdha që janë transferuar në emër të tij, gjë që ka bërë që policia të ketë dyshime lidhur me aktivitetin.

Burimet bëjnë të ditur se në dijeni të hetimeve kanë qenë drejtues të policisë dhe Ministrisë së Brendshme, ndërsa nuk dihet sepse hetimet policore nuk janë referuar në organin e akuzës.  

Lënda narkotike e sekuestruar konsiderohet më e madhja e kapur në territorin shqiptar, ndërsa vlera e saj arrin në 180 milionë euro. Lënda narkotike kishte destinacion Italinë, ndërsa kompania në fjalë merrej me importin e frutave nga Amerika Latine.