Gazeta britanike, The Guardian: Tirana një nga qytetet më miqësore për fëmijët

Gazeta më e madhe britanike, The Guardian: Tirana një nga qytetet më miqësore për fëmijët në botë

Transformimi që po pëson Tirana dita-ditës, ka tërhequr vëmendjen edhe të gazetës më të madhe britanike, The Guardian, e cila i ka kushtuar një shkrim të veçantë qasjes novatore që kryeqyteti shqiptar po merr ndaj të qënit miqësor me fëmijët.

Pas prestigjozes “The Economist”, apo revistave të tjera me emër si Vanity Fair, Vogue, L’Espresso etj, The Guardian e rendit Tiranën si një nga qytetet më miqësore ndaj fëmijëve, mes Rotterdamit, Bogotas, Lexingtonit dhe Vancouverit.

Në artikullin e saj, Laura Laker, shkruan se përkundër zërit të një minorance që protestoi për ndërtimin e këndit të lojërave te Liqeni Artificial, shumica fitoi, ndërsa thekson se në të gjithë qytetin janë ndërtuar 31 kënde të reja lojërash, që dikur kanë qenë hapësira të zëna nga ndërtimet informale.

Artikulli i kushton një vëmendje edhe sheshit “Skënderbej” dhe nismave të Bashkisë së Tiranës për ditët pa makina, të cilat kanë sjellë një ulje të nivelit të ndotjes së PM 10 me 15%. Gjithashtu, ajo shkruan se ndryshe nga shumë shtete të tjera në botë të cilat ngrenë mure, Tirana po ndërton një mur me pemë që po rrethon qytetin për më shumë oksigjen.

 “The Guardian” shton se Tirana mburret me "këshillin e qytetit për fëmijët", ku përfaqësuesit e rinj takohen me kryebashkiakun, debatojnë, ndërsa citojnë Veliajn që i cilëson ata si “avokatët më të mirë për të bindur prindërit e tyre për të ricikluar, për të ecur dhe për të shkuar me biçikletë në shkollë”.