Reforma në drejtësi / Meta: Bashkëpunim dhe transparencë për të pasur besueshmëri...

Presidenti Ilir Meta duke folur për reformën në drejtësi tha se do të bëjë më të mirën në mënyrë transparente, duke repektuar Kushtetutën.

Meta vuri theksin te bashkëpunimi dhe transparenca, duke i cilësuar si mjaft të rëndësishme përsa i takon besueshmërisë në zbatimin e reformës në drejtësi.

“Kërkohet besueshmëri në zbatimin e ligjit, të ketë sa më pak politizim në zbatueshmërinë e reformës dhe të gjitha institucionet duhet të zbatojnë ligjin. Është një reformë mjaft serioze dhe kërkon një ndërtim korrekt të të gjitha institucioneve të reja të drejtësisë dhe një zbatueshmëri korrekt të Kushtetutës së Shqipërisë”, tha Meta.

Presidenti theksoi se suksesi i reformës në drejtësi është siguria e qytetarit dhe ajo juridike, të cilat do të çojnë në rritjen e investimeve të huaja dhe rritjes së cilësisë së tyre.

“Nëse do të vijnë investime të huaja nga vendet nordike, apo kanadeze dhe amerikane, kjo jo vetëm do na bënte më europianë, por do krijonte një tjetër imazh për vendin”, tha Meta.

Presidenti theksoi se kushdo që ka shkelur ligjin duhet të përgjigjet për shkeljen që ka bërë, qofshin këto edhe nëse ka indicie politike.

I pyetur nëse ka besim te Kryeprokurorja e Përkohshme, Meta theksoi se nga përvojat e deritanishme kam dhe s’kam besim te asnjëri, unë nuk besoj te njerëzit, por te sistemi.

Në këtë kuadër, Meta tha se nëse Prokuroria do të veprojë në mënyrë transparenca, ky do të ishte një standard i ri.