Flet VV: Ja kur vendosim për mënyrën se si do ta kundërshtojnë Demarkacionin

Nesër (e mërkurë), pritet të mbahet seanca për votimin e marrëveshjes së demarkacionit, e cila ende nuk po dihet se a do të kalojë apo jo, pasi që edhe pas pajtimit të Haradinajt që ta votojnë marrëveshjen e propozuar nga LDK-ja, po flitet që ka deputetë brenda partive qeverisëse që nuk do ta votojnë.

“Bota sot” kishte raportuar para disa dite nga burime të brendshme që deputeti i PDK-së Nait Hasani, nuk do ta votojë marrëveshjen, e këtë e konfirmuan dje edhe disa media tjera.

Lëvizja Vetëvendosje është partia e cila nuk do ta votojë demarkacionin në asnjë mënyrë, e gjithashtu pritet që edhe ta parandalojë votimin e marrëveshjes së demarkacionit.

Këtë e konfirmuan për “Bota Sot” disa nga deputetët e kësaj partie.

Flet Nagavci

Arbërie Nagavci, thotë se Vetëvendosja absolut nuk do ta votojë demarkacionin, ndërsa thotë se para seancës, kjo parti do të mblidhet dhe do të shohin mundësitë për stopimin e demarkacionit.

 “Qëndrimet tona dihen se nuk do ta votojmë marrëveshjen e demarkacionit, ndërsa për veprimet që do i ndërmarrim për ta stopuar votimin e demarkacionit, do të diskutojmë para seancës dhe varësisht si është situata, do t’i ndërmarrim veprimet, edhe pse ne nuk besojmë që do të jenë votat e mjaftueshme për demarkacion dhe mund të ndodh që seanca të shtyhet prapë. Mirëpo e përsërisë se me siguri nuk do të ketë nevojë që të ndërmerren masa pasi nuk janë votat e mjaftueshme për demarkacionin”, tha Nagavci.

Mikullovci: Ujku qimen e ndërron por zanatin nuk e harron

“Bota sot”, ka kontaktuar edhe me deputetin Adem Mikullovci, i cili tha se kryesia e Vetëvendosjes do të mblidhet para seancës së demarkacionit dhe do diskutojnë mundësinë për parandalimin e votimit.

“Nuk e di ende sigurt se a do të ketë masa apo cilat do të jenë ato, mirëpo kryesia e  Vetëvendosja do të mblidhet para seancës për demarkacionin dhe do të diskutojnë se si ta gjejmë një mënyrë që demarkacioni të mos kalojë, mirëpo është e sigurt që Vetëvendosja do të votojë kundër demarkacionit.

I pyetur nga gazeta “Bota sot” se a do të hedhin gaz lotsjellës sikur herave të kaluara, Mikullovci dha një përgjigje që nuk e anashkalon këtë mundësi.

“Ujku qimen e ndërron por zanatin nuk e harron”, ishte përgjigjja e Mikullovcit.

Lajçi: Vetëvendosja do të ndërmerr masa

Ndërkaq deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Ali Lajçi, thotë se ende nuk dihet se cilat janë veprimet që do të ndërmerren për parandalimin e demarkacionit, mirëpo konfirmon se Vetëvendosja do të ndërmerr masa.

“Asgjë nuk dihet, nëse marrëveshja e demarkacionit hidhet në votim, atëherë Vetëvendosja do të përdorë disa masa që demarkacioni mos të kaloi, nuk e di ende se cilat mund të jenë ato veprime, mirëpo do mundohemi që në mënyrën sa më demokratike ta parandalojmë,  sepse kjo marrëveshje është në dëm të Kosovës”, u shpreh Lajçi.