Bozdo në Syri.net: Ja kush janë dy çështjet që do të lenë gjurmë edhe pasi Rama të ketë ikur...

Enno Bozdo, Sekretar Organizativ në PD, shprehet në studion e Syri.net se edhe nëse shihet mandati i parë i Edi Ramës u krijuan probleme madhore në qeverisjen e vendit: kanalizimi dhe kriminalizimi, të denoncuara nga opozita dhe koha na dha të drejtë.

“Këto dy çështje do të lenë gjurmë në shtetin shqiptar edhe shumë kohë pasi Edi Rama të mos jetë më Kryeministër.

Çështja e përjashtimit të familjeve nga skema e ndihmës ekonomike është shumë e rëndë, por PD mund ta riparojë këtë në 1 muaj kur të jetë në qeverisje.

Ndërsa paratë e siguruara nga kanalizimi janë derdhur në ekonominë e vendit, në ndërtime, në media, duke kriminalizuar ekonominë.

Kjo është një plagë e cila nuk do të mund të riparohet lehtë”, tha Bozdo.

Sipas tij, përmes këtij mekanizmi, pra parave të kanabisit Rama arriti të fitojë zgjedhjet e 25 qershorit.

Sekretari demokrat tha se tashmë është provuar se krahu i djathtë i Ramës, Sajmir Tahiri, është i implikuar drejtpërdrejtë në kanalizimin e vendit dhe tashmë këtë nuk e thotë vetëm opozita, nuk është e bindur vetëm opozita, por janë të bindur të gjithë shqiptarët.

“Opozita dhe shoqëria, por edhe faktori ndërkombëtar, u bënë një barrikadë kundër këtyre dy të këqijave të mëdha, kanalizimit dhe kriminalizimit”, tha Bozdo.

Sipas tij, nuk ka ditë që opozita mos denoncojë skandalet e qeverisë apo çështje të cilat prekin drejtpërsëdrejti qytetarin, qoftë kjo porsa i përket ndihmës ekonomike ashtu edhe çështjeve të tjera.