Kukësi-Skënderbeu, ‘peng’ i dëborës. Deklaratat e trajnerëve

Të mërkurën Superliga do t’u rikthehet ndeshjeve për të rikuperuar javët e prapambetura. Ndeshja më e rëndësishme në letër është përballja mes Kukësit dhe Skënderbeut, një vit më parë dueli për titullin kampion, ku verilindorët dolën fitues, por në këtë sezon situatat janë ndryshe.

Skënderbeu, pas fitores që thelloi avantazhin në krye të klasifikimit me Partizanin, do të udhëtojë për në verilindje të vendit për t’u përballur me kampionët në fuqi nëse ndeshja do të luhet, pasi ende ekziston risku për të mos u luajtur për shkak të dëborës, edhe pse vendasit janë munduar ta pastrojnë.

“Këto tri ndeshjet e fundit që kemi zhvilluar ishim shumë pozitive për ne. Shpresoj të vazhdojë kështu edhe më Skënderbeun. Nuk dua të mendoj për mungesat e Skënderbeut. Për mua do të ishte më mirë që kundërshtari gjithmonë do të ketë formacionin më të mirë në fushë, sepse kjo motivon më shumë ekipi”, thotë trajneri i Kukësit, Peter Pakult.

Gjithsesi në rast se nuk do të luhet në Kukës ndeshja mund të zhvillohet në “Loro Boriçi” në Shkodër, apo “Elbasan Arena” në Elbasan. Me mungesa dhe në një pikë sforcimi duket Skënderbeu Ilir Dajës përpara kësaj ndeshjeje.

“Ne për çdo ndeshje shkojmë për fitore me këdo ekip që do të luajmë. Të them të drejtën, nuk dimë mënyrë tjetër që të luajmë”, deklaron trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja.