Reshjet e borës, probleme edhe në Lezhë

Reshjet e dëbores kanë zbardhur të gjithë Qarkun e Lezhës. Ato kanë vijuar gjatë gjithë nates, duke arritur në trashesi nga 10 centimetra në ultesiren e Lezhës dhe deri në 50 centimetra në zonen e Mirditës. Për pasojë është pezulluar mësimi në shkollat e qarkut, ndërsa në rruget kryesore po punojnë borepastrueset për largimin e dëbores.

Emergjencat civile në prefekturen e Lezhës kanë bërë me dije se të gjitha akset kryesore janë të kalueshme me zinxhirë, ndërsa probleme ka në zonat e thella në Mirditë. Kështu të bllokuara janë fshatrat e Njesive Administrative Selite, Kaçinar, Orosh dhe Fan të cilat nuk kanë asnjë lidhje me qendrat administrative.Vemendje e veçantë po i kushtohet rrugës së kombit nga Miloti deri në tunelin e Thirrës.

Për të mbajtur hapur këtë segment rrugor po punojnë 8 borepastruese, ndërsa paralelisht po hidhet kripë për të eliminuar ngricat.Ky segment është i kalueshem pa probleme, ndërsa nga Fani deri në tunelin e thirres këshillohet përdorimi i zinxhireve përshkak të prezences së dëbores dhe ngricave në rrugë.Shtabet në tre bashkitë e qarkut po analizojnë situaten për të parë sesi paraqitet ajo si dhe për të programuar ndërhyrje të mundshme në zonat ku ka probleme kryesisht në Mirditë.