Dosja e Sigurimit/ Si u fundos nga artistët 17 vjeçari në 1981...

Në ditët e sotme foto e kësaj vajze të qeshur dhe topless do të konsiderohej një foto artistike, por jo në kohën e komunizmit.

Madje në atë kohë një foto të tillë nuk mund t’a kishe asnjë cep të shtëpisë e jo më t’a kishe në xhep si 17-vjeçari Ernest Tusha në vitin 1981

Por për fat të keq këtij djaloshi u arrestua dhe në xhep kishte një kalendar bizhuterish çekosllovake, me një vajzë të re të zhveshur. Ai do të arrestohej nga Sigurimi i Shtetit nën akuzën për spiunazh. Në xhep i gjejnë këtë foto.

Pas kësaj, dy ekspertë të sigurimit të shtetit, Artisti i Popullit, Foto Stamo (1916–1989) dhe Artisti i Merituar, Fatmir Haxhiu (1927–2001), e cilësuan si “një material të dëmshëm pornografik”.

Dy piktorët më të vlerësuar të kohës së komunizmit në dokumentin e akt-ekspertizës të publikuar nga “Shqiptarja.com” shkruajnë ndër të tjera se fotoja është “kompozuar për qëllime pornografike”.

Argumentet  paradoksalë të dy piktorëve i kanë kushtuar plus 2 vjet burg të riut, përveç 7 vjetëve që e akuzuan për spiunazh, agjitacion e propagandë. Frazat e ekspertizës së piktorëve janë tejet qesharake sot, por fatale për lirinë e 17-vjeçarit.

Ja çfarë kanë shkruar dy piktorët të thirrur si ekspertë nga sigurimi i shtetit:

Akt-Ekspertimi "Nga hetuesi Dhimitraq Shkodrani, jemi caktuar me detyrën e eskpertit, unë Foto Stamo Artist i Popullit dhe Fatmir Haxhiu Artist i Merituar, për të ekspertuar një kalendar të vitit 1978 JABLONEKS, prodhim i reklamës së bizhuterisë çekosllovake, e cila i është gjetur të pandehurit Ernest Adil Tusha.

Nga sa shohim këtë fotografi, e përshkon një qëndrim i plotë pornografik, i zbërthyer në të gjitha detajet si i tillë. Së pari, kompozimi në dy aspekte-Nudo i dy figurave me qëllim nxitjen dhe krijimin e të papriturës sugjestive, të epshit seksual, të krijimit përmes mishit të femrës lakuriq, të gjinjve të saj, të pozicionit eksitues dhe të gjitha detajeve në të, evidetim të kërthizës, të ngjyrës së trëndafilit të mishit e të tjera si këto.

Gjë që dëshmon për një material të dëmshëm pornografik, realizuar me qëllime të vështrimit të gruas si një qenie e përdorshme nga pozita frojdiste. Nga të gjitha çka shohim dhe gjykojmë për këtë fotografi arrijmë në konkluzionin se kemi të bëjmë me një fotografi pornografike.

Tiranë më 2/VI/1981 Ekspertët: Foto Stamo Artist i Popullit (Firma) Famir Haxhiu Artist i merituar Firma”

Më poshtë është edhe vendimi i hetuesit të Sigurimit Dhimitraq Shkodrani për caktimin e artistëve që duhej t’i bënin eskpertizë fotos, dhe ekspertiza është bërë vetëm tri ditë pas këtij vendimi më 2/VI/1981.

Vendim mbi caktimin e ekspertimit Në Tiranë më 30/ V/1981

Unë hetuesi Dhimitraq Shkodrani. Pasi studiova dosjen hetimore në ngarkim të të pandehurit Ernest Tusha, i cili akuzohet se ka kryer krimin e spiunazhit, të agjitacionit, të propagadës dhe atë të pornografisë:

Kontantova:

 Se në datën 11/2 1980 është arrestuar Ernest Tusha për shkak se është futur fshehurazi në shtëpinë e këshilltarit të Ambasadës Jugosllave Xhemal Uçi dhe kur ka dalë prej  andej është kapur nga kujdestari i pallatit të dipllomatve dhe është shpënë në polici, gjatë kontrollit që i është bërë, i është gjetuar një kalendar i prodhimit çekosllovak të vitit 1978 me një femër lakuriq që del në dy pozicione.

Në bazë të nenit 25 të K.Pr.Penale Vendosa të caktojë eskpertë për të parë fotografinë e mësipërme Artistin e Popullit piktorin Foto Stamo dhe Artistin e Merituar Fatmir Haxhiu për të përcaktuar nëse kjo fotografi është apo jo pornografike. Hetuesi Dhimitër Shkodrani. (firma)”