Demarkacioni/ A do të sigurohen 80 votat e nevojshme, ja çthonë deputetët...

Kuvendi i Kosovës pritet që të mërkurën të votojë për Demarkacionin me Malin e Zi, çështje kjo me të cilën Kosova po përballet prej 3 vjetësh.

Por pikëpyetjet ende ekzistojnë lidhur me numrin e votave të nevojshme që duhen për miratimin e marrëveshjes. Demarkacioni duhet të miratohet me mbi 80 vota, pasi çdo miratim në këtë shifër nuk i shërben askujt.

Lista Serbe ka kundërshtuar votimin e demarkacionit duke e vështirësuar kështu votimin e saj.

Kundër marrëveshjes për demarkacioni kanë dalë edhe deputete nga mazhoranca siç janë Nait Hasani nga PDK-ja dhe Zafir Berisha nga NISMA.

Marrëveshja e Demarkacionit u arrit dy ditë pas vizitës së kryeministrit malazez Duck Markovic në Kosovë, ku kjo marrëveshje u nënshkrua edhe një here nga presidenti Hashim Thaçi,  905 ditë pasi hodhi nënshkrimin e dytë pas të parit.

Kreu i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti në një prononcim për “Bota sot”, thotë se kjo çështje duhej të ishte miratuar me kohë.

 “Ne e kemi dhënë qëndrimin tonë. Ne e mbështesim plotësisht këtë marrëveshje. Kjo çështje është dashur të kryhen me kohë. Sot qytetarët e Kosovës do të mund të lëviznin lirshëm në BE sikur opozita e atëhershme të mos e kundërshtonte me dhunë ratifikimin e kësaj marrëveshje në Kuvendin e Kosovës”, shprehet Hoti.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhevahire Izmaku u shpreh se votimi është përgjegjësi individuale e secilit deputet.

 “Unë nuk mund të flas për deputetët  e tjerë, secilin deputet e ka individualitetin e vetë, mirëpo vota ime është pro demarkacionit, konsiderojë se secili deputetë duhet ta ketë nivelin e përgjegjësinë së vetë dhe nuk mundet të humbet një moment kaq i rëndësishëm, ku cdo qytetarë i vendit pret ratifikimin”

Ndërsa Izmaku nuk komentoi deklaratën e bashkëpartiakut të saj Nait Hasani, i cli ka deklaruar  se nuk do ta votojë demarkimin me Malin e Zi.

 “Respekt për Naitin mirëpo deklaratën e tij nuk e kam dëgjuar”, ka përfunduar Izmaku.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shkumbin Demalijaj është shprehur se i mbetet besnik Haradinajt.

 “Unë personalisht i mbetem besnik qëndrimit  të kryeministrit Haradinaj dhe atë çka e propozon ai do ta votojë, ndërsa për deputetët e partive tjera nuk e di, mirëpo unë i mbetem besnik kryeministrit”, ka deklaruar Demalijaj.

Kurse, Arberie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se qëndrimi i VV-së tashmë dihet.

 “Qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosjes është i qartë, ndërsa deklaratat e Kadri Veselit janë thjeshtë mënyra për të shkaktuar përçarje ,të kërkojë konfuzitet. Në  Lëvizjen Vetëvendosje qëndrimi jonë është i  qartë, për  të gjithë ata që e përfaqësojnë Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Nagavci.

Albulena Balaj Halimaj,deputetja e Nisma, tha  se vendi ka 1 milionë probleme tjera, andaj demarkacioni duhet votuar.

 “Vota ime shkon pro demarkacionit, sepse kjo çështje tashme është zgjatur shumë duke pritur tri vjet, dhe ne si vend kemi edhe 1 milionë probleme tjera, ka ardhur koha ti kthehemi punës ne shëndetësi, zhvillim ekonomik dhe natyrisht është me rendësi të ratifikohet sa më shpejtë. Po flas ne emër timin ndërsa nuk mund të flas në emër të grupi parlamentar sepse është përgjegjësia individuale e secilit deputetë”, u shpreh Halimaj.