Prof. Tritan Kalo vë alarmin për fruthin dhe 'fosilet' e Shëndetësisë: Njoh epidemitë e koleres dhe poliomelitetit, ndaj...

Prof.Asc.Dr.Tritan Kalo, mjek infeksionist, ka ngritur alarmin sot për rrezikun e një epidemie fruthi në vendin tonë, por akoma më shumë për faktin që për të nuk po angazhohen profesionistët, por po bëhen improvizime afatshkurtra me shumë zhurmë nga disa drejtues të fosilizuar në Shëndetësinë Publike.

Qendrimin e tij kritik Prof. Kalo e ka shprehur në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale:

“Profesionalizëm që le për të dëshiruar. Fruthi ka kohë që ka trokitur në dyert tona, - shkruan mjeku i njohur duke publikuar dy fotografi. - Dy fotot e mëposhtëme i takojnë vitit 2016 dhe janë dy të rinj shqiptar me fruth të infektuar në Londër dhe në Berlin. Njëri prej tyre i konfirmuar serologjikisht si në Spitalin Amerikan edhe në ISHP. 

Në hapësirën kohore mes këtyre dy fotove dhe “zhurmës së tanishme” për fruthin kanë kaluar rreth dy vjet. Ndërkohë në Europë dhe në vendet rreth nesh janë diagnostikuar me qindra dhe me mijra raste me fruth, por autoritetet përgjegjëse nuk ndërmorën asnjë masë të rëndësishme dhe gjurmëlënëse si informuese, po ashtu parandaluese për këtë sëmundje jo të neglizhueshme edhe pse “Hanibale ante portam”, por u mjaftuan me ndonjë dalje televizive dhe aq.

Askush deri më sot nuk mundet të na japë shifra reale për situatën e imunizimit të popullatës sonë jo vetëm për fruthin, sepse studime të tilla ose nuk bëhen ose edhe nëse behen (???), rezultatet e tyre nuk u bëhen të ditura profesionistëve klinicistë, që merren me sëmundje të tilla, për të shprehur mendimet e tyre dhe për të kontribuar në zgjidhjen e problemeve.

Improvizimet e shumëzhurmëshme të minutës së fundit, sjellin vetëm e vetëm zgjidhje afatshkurtra dhe jo të qëndrueshme, për dukuri të tilla me impakt shumë të rëndësishëm në shëndetin e popullatës.

Nëse në strukturat tona do të kemi të njejtët individë, të cilët flasin atë që veshët e drejtuesve tanë të çdo qeverie duan të dëgjojnë, të mos habitemi aspak se epidemi të fruthit dhe jo vetëm të tij do të kemi edhe në të ardhmen…

Burokratët e mirëpaguar të OBSH/WHO e shpallën me bujë vitin 2015 si vitin e zhdukjes së Fruthit në 5 (pesë) rajone të botës dhe vitin 2030 si vit të çrrënjosjes së tij në të gjithë rruzullin tokësor, por sëmundjet infektive kanë ligjësitë e tyre dhe nuk iu binden dëshirave utopike burokratike…

Edhe Presidenti i SHBA-së nuk mundet të ketë më shumë se dy mandate 4 vjeçarë, ndërsa te ne i kemi të “fosilizuar” në strukturat drejtuese të Shëndetësisë Publike, të njejtët individë prej dhjetra e dhjetra vitesh.

Një praktikë e tillë pune sjell vetëm e vetëm atrofizim, ngurtësim idesh dhe praktikash zhvillimore në këtë sektor jetik për vendin tonë…Kam eksperiencën time të përditëshme të hidhur profesionale me individë të tillë, por edhe eksperiencën në dy epidemitë e mëdha të kolerës më 1994 dhe të poliomielitit në 1996 e të tjera pas tyre, ndaj edhe e ngre jo më kot këtë shqetësim …

Quo vadis Shqipëria ime!”- përfundon Kalo.