Shërbimi sekret serb pas sulmit ndaj konsullatës së përgjithshme në Strasburg?

“Shërbimi Inteligjent Serb në bashkëpunim me grupet mafioze kriminale e kanë përdorur këtë metodë çdo herë kundër shqiptarëve dhe të njëjtën metodë e kanë përdorur edhe kësaj radhe kundër Konsullatës në Strasburgut, ku përmes njerëzve të cilët kanë vepra penale i keqpërdor duke i dhënë direktiva në mënyrë që të sulmohen institucionet apo përfaqësuesit diplomatik të Kosovës. Ky akt është i shëmtuar dhe një fije të përgjegjësisë të madhe për sigurimin e vendeve diplomatike të Kosovës e mban edhe shteti i cili duhet ta sigurojë Konsullatën”, është shprehur Avni Islami ekspert i Sigurisë.

Konsulli në ambasadës së Kosovës në Francë, Edon Cana, ka bërë të ditur se gjatë fundjavës, është sulmuar Konsullata e Përgjithshme në Strasburg, me ç`rast është vjedhur flamuri i shtetit të Kosovës dhe janë dëmtuar simbolet e tjera shtetërorë, shkruan Bota Sot.

Këtë njoftim, Cana e ka dhënë me anë të një postimi në rrjetin social Facebook.

“Gjatë vikendit është sulmuar Konsullata e Përgjithshme në Strasburg dhe është vjedhur Flamuri i Republikës dhe është shkatërruar Stema e Shtetit. Simbolet e Shtetit të Kosovës i pengojnë armiqve tanë! Duke i falënderuar autoritetet Franceze për mbështetjen e tyre jemi të bindur se mbas forenzikës së bërë sulmuesit shpejt do të gjinden”, ka shkruar Cana.

Sulmi që i është bërë Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Strasburg, gjatë fundjavës, ku është vjedhur flamuri i Republikës së Kosovës dhe është shkatërruar stema e shtetit dhe simbolet e shtetit, ka zgjuar debate dhe ironi tek profile të ndryshme të Kosovës, të cilën rikujtojnë se Kosova vazhdon të ketë armiq edhe përtej kufijve.

Sipas tyre, ky veprim, tregon urrejtjen patologjike që kanë ata individ apo porositësit e tyre për shtetin e Kosovës në këtë rast.

Deputetja e VV-së Drita Millaku,  ka thënë se këto sulme janë bërë nga pjesëtarët e sigurimit serb apo të porositura nga ta, me qëllim të mbjelljes së besimit, se ka edhe forca tjera që nuk e dëshirojnë Kosovën shtet i pavarur.

 “Unë besoj dhe mendoj se kjo nuk ka autorësi tjetër përveç  BIA-s Serbe”, ka thënë deputetja Millaku.

Ndërsa, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Vesel Makolli, ka thënë se e gjithë Kosova e dënon sulmin në Konsullatën tonë në Francë, e sidomos përdhosjen e flamurit shtetëror të Kosovës.