Gazetari i ‘Top Channel’ ironizon Andi Bushatin/ ‘Ama, ka edhe kulla të bukura që...’

Lapsi.al është një nga portalet pararojë të betejës kundër betonizimit me kulla të Tiranës, dhe kjo i bën nder çdo media-je që e denoncon lukuninë e shkatërrimit të hapësirave publike nën firmën e Erion Veliajt.

Por maja e lapsit të bashkëzotëruesit të portalit në fjalë, Andi Bushatit thyhet herë pas here aty ku duket se është edhe pika e tij më e fortë, beteja kundër kullave. Portali në fjalë ka botur sot një artikull me titullin "Park Gate, detaje arkitekturore që po ndryshojnë stilin e ndërtimit në Shqipëri". Një artikull reklamues për kullën e radhës së Zamir Manes që kafshoi një pjesë të parkut të Liqenit përballë Fakultetit të Histori-Gjeografisë.

Debati për zaptimin e hapësirës në fjalë është ezauruar, dhe edhe njëherë si përherë, përballë interesit publik kanë fituar milionat dhe pushteti mbi pushtetin i Zamir Manes. Kjo është tjetër histori. Ama fakti që lapsi i Bushatit që shkruan me te drejtë kundër kullave të Veliajt, nuk mundet dhe nuk duhet të amnistojë kullat kur ato janë te Zamirit pavarësisht firmës që e ka lejuar atë.

Lufto Bushat kundër të gjitha kullave, dhe mos i ndaj ato në ca të Zamirit e ca të Veliajt. Për interesin publik të dy bashkë ata, bashkë edhe me të tjerë barbarë që po demolojnë Tiranën e dikurshme, janë një e keqje e madhe e përbashkët. Amnistimi i kullës së Zamirit, rrezikon të legjitimojë në të njëjtën kohë edhe kullat e Veliajt. Njësoj edhe ato mund të kenë "detaje arkitekturore që bëjnë ndryshimin"- veçse njësoj janë tregues i triumfit të interesit klientelist te oligarkëve mbi atë të qytetarit që je edhe ti. Në te kundërt gazetari i Top Channel, Klodian Tomorri ka të drejtë kur ironizon " Kulla është e keqe për sa kohë nuk ke një vete".