Boçi ironizon Veliajn: Godina e re e teatrit e rrethuar me kulla që lidhen me tunel...

Luçiano Boçi, deputet i PD-së, ka reaguar përmes rrjeteve sociale në lidhje me Teatrin Kombëtar, një ditë pasi kryebashkiaku Erjon Veliaj deklaroi se në godina e re do të jetë vetëm për artin, pa një kullë.

“Tani nuk do kemi kullë në cep të teatrit si kulla në cep të stadiumit. Por do kemi teatër të rrethuar me kulla teatrore që lidhen me tunel”, shkruan Boçi.

Postimi i Luçiano Boçit

“Ja dhe gjëagjëza e Teatrit na “u zgjidh”:

Godina e vjetër, d.m.th historia do shembet dhe në vend të saj do kemi teatër të ri që po lind nga teatri politik!

Tani nuk do kemi kullë në cep të teatrit si kulla në cep të stadiumit. Por do kemi teatër të rrethuar me kulla teatrore që lidhen me tunel.

Më shkoqur, nuk do kemi teatër që pjell kullë (si stadiumi që polli kullën)

Por do kemi kullë që pjell një teatër.

Si puna e asaj formulës “pula vezën a veza pulën”.

Po histori me teatër pas kësaj nuk do të ketë më.

E gjitha kjo sepse ne nuk qenkemi vend i pasur!!!?

Mirë ne, po Anglia p.sh, pse nuk e rrafshon “Globus-in” shekspirian dhe në vend të tij të ndërtojë një godinë mahnitëse, duke qenë dhe vend i pasur?!

Po ta shohësh në foto “Globusi” (foto poshtë) nuk krahasohet nga ana e estetikës as me këtë “asin nën mëngë” të Ramës, kuadratikun, thonë me tunel, tonë të ri, por ama është më i bukur sepse ndryn brenda vite histori.

Anglezët e kanë ristrukturuar dhe e mbajnë aty si ikonë të historisë.

Dhe Teatri ekzistues i yni, mund të ketë shumë “tallash” e tallaze brenda, por vitet e historisë e hijeshojnë dhe historia nuk ka çmim.

Anglezët kanë dhe një shprehje:

“Nuk jam i pasur të blej kaq lirë”!