FOTO/ Sherri pastaj plumbat, detaje nga atentati ndaj të riut shqiptar

Detaje të reja bëhen me dije lidhur me plagosjen me armë zjarri të  një 27-vjeçari shqiptar mbrëmjen e djeshme në komunën “Busto Garolfo” në Milano.I transportuar nga ambulanca spital me “kod të kuq” pas plagosjes, 27-vjeçari, me precedentë për krime ndaj pronës, është jashtë rrezikut për jetën. 

Sipas raportimeve të fundit të medieve lokale, i riu (identiteti i të cilit nuk bëhet ende me dije) u qëllua disa herë me pistoletë në pjesën e barkut rreth orës 20:50, në afërsi të një parkingu të një bari në rrugën “Giuseppe Mazzini”. Të njëjtat burime, duke iu referuar “rindërtimi paraprak të ngjarjes nga karabinierët e Legnano–s që po drejtojnë hetimet”, shtojnë se shqiptari ishte duke diskutuar me të paktën tre persona dhe më pas është qëlluar me armë zjarri.

Efektivët gjetën disa gëzhoja të kalibrave të ndryshme, ndërsa një pistoletë e kalibrit 6.36. është gjetur në disa shkurre në rrugën “Cadorna”, ku shqiptari i plagosur arriti të shkonte për të kërkuar ndihmë.