Sulmi vetëvrasës para ambasadës amerikane në Podgoricë, apel amerikanëve në Mal të Zi: Bëni kujdes, mos...

Një person i panjohur hodhi një pajisje shpërthyese në ndërtesën e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Podgoricë, konfirmoi Qeveria e Malit të Zi.

Sulmi ndodhi në orët e para të ditës së sotme, thuhet në njoftimin e postuar në Twitter.

“Një person i panjohur bëri vetëvrasje me një pajisje shpërthyese. Para kësaj, ai person hodhi një pajisje shpërthyese nga kryqëzimi pranë Qendrës së Sporteve në ambasadën e Shteteve të Bashkuara”, thuhet në njoftim.

Govt. of Montenegro?@MeGovernment

At 00:30, in front of the @USEmbassyMNE building in #Podgorica, #Montenegro an unknown person committed suicide with an explosive device. Immediately before, that person threw an explosive device from the intersection near the Sport Center into the US Embassy compound. (1 of 2)

 

Qeveria tha se pajisja e hedhur në ambasadë “ka shumë të ngjarë” të ketë qenë granatë dore dhe se hetimet janë në proces.

Ambasada amerikane në Podgoricë po ashtu e konfirmoi sulmin për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Policia tha se nuk i di motivet e sulmuesit vetëvrasës.

“Ka ndodhur një incident”, tha një zyrtar i policisë për agjencinë Reuters, por nuk dha më shumë detaje.

Fotografi i Reutersit në Podgoricë tha se policia ka bllokuar rrugën ku ndodhet ambasada.

Ambasada i paralajmëroi shtetasit amerikanë që të qëndrojnë larg deri në njoftimin e radhës.

“Ambasada e SHBA-së në Podgoricë i paralajmëron shtetasit amerikanë për një situatë aktive të sigurisë në ambasadën në Podgoricë. Shmangeni ambasadën deri në njoftimin e radhës”, thuhet në njoftimin e publikuar në ueb-faqen e saj.

Ambasada po ashtu i udhëzoi amerikanët që t’i shmangin tubimet e mëdha në kryeqytet dhe të monitorojnë mediat lokale për përditësime mbi situatën.

Mali i Zi i është bashkuar NATO-s vitin e kaluar, duke zemëruar qytetarët pro-rusë atje dhe gjetkë në Ballkan./REL