Grabitet me armë banesa, goditet pronari

Një grabitje është shënuar këtë pasdite në Lezhë.

Sipas Policisë, rreth orës 19:15, në banesën e Arben Isakut në afërsi të bordit të kullimit, kanë hyrë tre persona të maskuar, njëri prej të cilëve i armatosur.

Pasi kanë goditur me sende të forta të zotin e banesës, kanë marrë një shumë parash dhe disa bizhuteri dhe duke përfituar nga errësira kanë mundur të largohen, shtojnë të njëjtat burime.

Shërbimet e policisë kanë shkuar në vendngjarje, pas marrjes së njoftimit lidhur me ngjarjen.

Forca të shumta policore po krehin zonën duke përdorur edhe qenin e gjurmës, njofton Policia, janë ngritur pika kontrolli dhe po sekuestrohen pamjet filmike në zonën ku ka ndodhur vjedhja.

Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë vazhdojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes, thanë burime zyrtare nga Policia lokale.