Arrestohet në Spanjë futbollisti i njohur, akuzohet për rrëmbim personi dhe grabitje

Një histori e trishtë vjen nga Spanja, ku Ruben Semedo, mbrojtësi i Villarrealit, është arrestuar këtë mëngjes nga policia e Valencias, me akuzën e pengmarrjes me armë të një personi dhe vjedhje të banesës.

Futbollisti portugez në bashkëpunim ka rrëmbyer një person dhe pasi e ka kërcënuar me armë zjarri i ka kërkuar çelësat e shtëpisë, që më pas e kanë vjedhur.

Sipas informacioneve paraprake, hetimet kanë nisur pas denoncimit që ka bërë një person i fashuar dhe me dëmtime në trup, i paraqitur më 12 shkurt në komisariatin e policisë kombëtare.

Personi në fjalë ishte viktima i kësaj ngjarjeje dhe ka treguar se është marrë peng, lidhur e rrahur nga Semedo dhe një kushëri i tij.

Ndërkohë një tjetër bashkëpunëtor në këtë ngjarje ka përdorur edhe armën që ta bindte për t’i dhënë çelësat e shtëpisë, që më pas e gjetën të vjedhur.