Monumentin e rrëzuam apo na zuri poshtë?

Sot në mëngjes tek kafja erdhi dhe Sul Bushati, ish-drejtues komunist i Veriut të vendit për vite e vite, shoqëruar nga i biri, Ditmir Bushati, sot ministër i Punëve të Jashtme.

U ulën dhe porositën dy kafe ekspres. Mbi tavolinë gjendej një gazetë e ditës. E mori i ati dhe hapi për ta lexuar. Nga larg pashë në faqen e parë me germa të mëdha: Lista e të përndjekurve politikë që përfitojnë këstin e dëmshpërblimit.

Pas një pauze dhe pasi e gjerbën kafen ata u larguan. Ndenja dhe pak e shkova në banak tek Dhori, të paguaja.

Se ai bën vetë dhe kamarierin, edhe banakierin. Të ulë sa më shumë kostot.

Mbi banak i pashë një tufë faturash. Të energjisë, të ujit, të sigurimeve, etj, etj.

-Janë rritur taksat e detyrimet?-e pyeta.

-Normal janë, - më tha dhe qeshi.

U çudita, ndaj e ngacmova.

-Si normal? Ti nuk po mban as kamerier që të ulësh shpenzimet se nuk të del. Apo jo?

-Do rriten patjetër taksat, tatimet dhe çmimet, -filloi. -E di pse? Se ne do paguajmë që Sul Bushati, ai që piu kafe këtu dhe qe çoi në uri popullin, do marrë pension. Do paguajmë që i biri i tij, sot ministër, të marrë rrogë, dieta, udhëtime, fluturime, benefice. Do paguajmë se ata mijëra që dënoi babai i ministrit duhet të marrin dëmshpërblim. Kuptove pse them janë normal çmimet?

Më bindi. Për ta ngacmuar i thashë:

-Sot është 20 shkurt. Si sot e rrëzuam monumentin e Enverit. Të kujtohet?

-Më kujtohet, por edhe ngatërrohem në fakt. E rrëzuam monumentin vërtet, apo ai na zuri poshtë?

Po më del se na ka hipur sipër. Jo ai vetë, por bijtë, nipërit, kushërinjtë e besniket e vet. Hidhi sytë në çdo zyrë.

Sperma e tij ngado, ngado, ngado...