Propozimi i Ramës për president të përbashkët/ Reagon Hoti: Kjo është fyerje për kosovarët

Anëtari i kryesisë së LDK-së,Avdullah Hoti,e ka cilësuar fyrje për kosovarët propozimin e bërë nga Edi Rama,për një president të përbashkët për të dy shtetet.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se kjo është mungesë respekti për aspiratat e kosovarëve.

“Propozimi i Edi Ramës për president mbarëkombëtar është mungesë respekti për aspiratat e kosovarëve për shtet të pavarur, të integruar në BE dhe NATO”, ka shkruar Hoti, në një reagim në FB.

Shefi i Qeverisë shqiptare, Edi Rama, ka propozuar një President gjithëkombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë.

Këto dy propozime, Rama i ka bërë gjatë fjalimit në Kuvendin e Kosovës, për nder të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta po pse jo një president simbol të unitetit kombëtarë dhe një politikë kombëtare të sigurisë”, ka thënë Rama, në fjalimin e tij, shkruan Gazeta Express.

E ka pranuar se një ide e tillë nuk është e realizueshme tash po ka thënë se edhe dicka që ëndërrohet mund të realizohet.

“Mbase ky parafytyrim sot mund të mos jetë i qëllueshëm në rrafshin e racionales, por historia na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet nuk është e pamundur të realizohet”, ka shtuar ai.