Ndahet nga jeta Ylvi Pustina, Mjeshtri i Shahut

Federata Shqiptare e Shahut njofton me hidhërim se Mjeshtri i Shahut z.Ylvi Pustina është ndarë nga jeta.

Federata Shqiptare e Shahut organizon homazhet per percjelljen e tij ne banesen e fundit, neser, diten e shtune, date 17 Shkurt, or 11: 00 - 12:00, prane Hotel Internacional,(mbrapa Ish Lidhjes se Shkrimtareve ) 
Ylvi Pustina

Ka lindur më 9 Shkurt 1935, me arsim të lartë, mjek – veteriner. Gara e tij e parë ishte Kampionati Kombëtar i të Rinjve, në vitin 1951, ku në moshën 16 vjeçare u shpall Kampion Kombëtar. Pas një viti, në kampionatin Kombëtar të vitit 1952, shpallet Kampion i vëndit për të rritur me pikë të barabarta me mjeshtrin e pare të sportit për shah në Shqipëri, Bujar Hoxhen.

Vlen të theksohet se Ylvi Pustina ka dalë 9 herë Kapion Kombëtar në vitet 1952, 1957, 1959, 1960, 1961, 1964, 1965, 1969, 1970, 9 herë fitues i Turneut të më të mirëve si dhe 4 herë fitues i Kampionatit Kombëtar Ekipor me Ekipin e tij “17 Nëntori”. Pustina është Mjeshtri i parë i merituar i sportit të shahut në vendin tonë dhe 5 herë fitues i Anketës së gazetës Sporti Popullor për 10 sportistët më të mirë të vitit, (1960, 1961, 1964, 1970, 1972).

Ylvi Pustina ka qenë një ndër titullarët më kryesorë në formacionin e ekipit tonë Kombëtar në arenën ndërkombëtare. Ku spikasin: 

Kampionati botëror i studentëve (me ekipe) 1958 në Varna të Bullgarisë.
6 Olimpiada Botërore të shahut (1960, 1962, 1970, 1972, 1980, 2000)
Në turneun paraolimpik ndërkombëtar në Varna Bullgari në vitin 1962, ku fitoi cmimin e gazetës Trut ”Puna” për rezultatin më të mirë me shahistët më të fortë. 
Kupa ballkanike në vitin 1960; 
Kampionati Europian 1970; 
Kampionati botëror i senjorëve në vitin 1999.
Është ndër pesë lojtarët e parë shqiptarë , që ka fituar pikëzimin elo që në vitin 1970. 

Karakteristikë themelore dalluese e Mjeshtrit të merituar të Sportit Ylvi Pustina, në lojën e shahut, ka qënë stili i tij kombinativ, por i shoqëruar edhe me nuhatje dhe vlerësime objektive të pozicionit. Gjithashtu ka qënë gjyqtar dhe trajner Kombëtar. Ai ka drejtuar ekipet kombëtare të të rriturve dhe të rinjve në disa aktivitete ndërkombëtare, si ballkaniada ose olimpiada, në vitet 1974, 1978, 1979, 1990, 1994 e 1995. Gjithashtu, është autor edhe i disa librave për shahun.

Për kontributin e madh që ka dhënë për shahun i është akorduar urdhëri Naim Frasheri, mban titullin e lartë Ndër i Sportit Shqiptar; si dhe Mirënjohja e Qytetit të Tiranës. Ndër rezultatet më të spikatura të tij kanë qenë përballjet me mjeshtrat ndërkombëtarë dhe fitoret ndaj tyre, si Bogdanov, MI Nikola Bochev Padevsky (Kampion i Bullgarisë në vitin 1954, 1955, 1962 dhe 1964, e më pas GM-1964) dhe barazimi me sovjetikun Nikolaj Krogius (më vonë MI-1963 GM-1964, trajneri i ardhshëm i kampionit botëror 1969-1972, Boris Spassky), Oleg Neikirkh (kampion i Bullgarisë në vitin 1937, 1938, 1940, 1943, 1948, 1953 dhe 1957) dhe A. Milev (kampioni Bullgar 1952, 1960 dhe 1961), Tatai i Italisë; si dhe barazimet me mjeshtrat e mëdhenj ndërkombëtarë, si Lombardi i SHBA, (i cili, një vit më pas u shpall edhe Kapion i botës për të rinj), Petar Trifunoviç (kampion të Jugosllavisë në vitin 1945, 1946, 1947, 1952 dhe 1961), Hunziger i Gjermanisë dhe në veçanti në Olimpiadën botërore të vitit 1972 në Shkup ndaj Mjeshtrit të madh ndërkombëtar Braunit , i cili luante në tavolinën e parë të Australisë. 

Në Olimpiadën Botërore të Shkupit, ekipi shqiptar që u përfaqësua nga Ylvi Pustina, Floran Vila, Vangjel Adhami, Fatos Muço, Fatos Omari e Aldo Zadrima, arriti rezultate jashtëzakonisht të larta, që bënë një jehonë shumë të madhe brenda dhe jashtë vendit. Mjafton të kujtojmë faktin që ekipi përfaqesues i Shqipërise, në këtë garë legjendare, qe shumë pranë kualifikimit për në finalet e kampionatit botëror, ku kualifikoheshin dy ekipe në grup (16 ekipe gjithsej nga 6 grupe) dhe ekipi shqiptar grumbulloi vetëm 1 pikë më pak se vendi i parë dhe 0.5 më pak se vendi i dytë. Kjo garë pati edhe një ngarkesë të madhe politike, për shkak të politikës që ndiqte vendi ynë në atë kohë dhe shahistët e ekipit tanë ishin të detyruar të rrefuzonin përballjen ndaj Israelit, shkak që solli edhe përjashtimin e ekipit shqiptar nga kjo Olimpiadë, pa e përfunduar atë.