‘Tik-Tak’, ora amerikane, apo ajo shqiptare?!

Pasditen e 31 Janarit ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, kur kuptoi i zhgënjyer se i kishte ‘mashtruar’ shqiptarët për afatin e nisjes së kapjes së ‘peshqve të mëdhenj’, mori një orë, e kurdisi dhe deklaroi; Tani ka nisur, tik-taku...

Por cilën orë na tregon ambasadori; atë të Shqipërisë apo atë të vendit të tij ku ajo bën ‘tik-tak’, që prej 237 vitesh?

‘Ora amerikane’

Nëse Donald Lu e ka fjalën për orën e vendit të tij, atëherë shqiptarët që ja kanë mbathur jashtë vendit me shumicë këto vite, le të bëjnë gati valixhet e kthimit. Të tjerë këtu që kanë në kokë planin e ikjes, ta rishikojnë urgjentisht atë. Kurse kush ka aplikuar për punë në Gjermani, për lotarinë amerikane, kanadeze, apo australiane ta anulojnë sepse më në fund ditë të mira e presin vendin e tyre!

E vetmja gjë që duhet të bëjmë nëse ‘ora amerikane’ po punon për ne është vetëm, pritja me lule e ‘rambove’ të DEA-s, që do të arrestojnë Balilin me shokë, e ‘007-ave’ të CIA dhe FBI, që do prangosin dhe do të spastrojnë me themel, klasën e korruptuar të politikanëve e qeveritarëve, prokurorëve e gjyqtarëve.

Kur të mbarojë e gjitha kjo, të gjithë do jetojnë më në fund në këtë vend, të lumtur e të barabartë para ligjit e shanseve për një jetë më të mirë, madje me shumë gjasa do të kenë fatin që të bëhen figurantë, të një filmi me buxhet të madh, në Hollivud.

‘Ora shqiptare’

Nëse ambasadori Lu i ka varur shpresat tek ‘ora shqiptare’ e cila në pamje të parë duket fringo e re, (vetëm 28 vjeçare), por edhe e modifikuar së fundmi me aksesorë shkëlqyes, si Reforma në Drejtësi apo ligji i Dekriminalizimit, atëherë le ti bëjmë një zbërthim të shpejtë mekanizmit të saj.

Më 8 Dhjetor të vitit 1990, pas një beteje epike të rinisë studentore shqiptare u themelua në vendin tonë PLURALIZMI politik, si zemberek i orës së sistemi demokratik. Që atëherë kanë kaluar 27 vite, por e vërteta e dhimbshme është, se sot ne e gjejmë veten si vend, me një demokraci të përçudnuar ku sundon korrupsioni dhe krimi ka mundur të futet në politikë, qeverisje dhe në parlament.

George Wilhelm Friedrich Hegel, që studioi fillimet e kapitalizmit ka thënë pak a shumë, se ‘korrupsioni është si vaji lubrifikant për ingranazhet e makinës që e vë në punë këtë sistem. Kur është në masën e duhur ajo punon, kur shtohet me tepri ngurtësohet dhe kthehet në bllokues deri në përçudnim dhe shpërthim’.

Brenda zemberekut të të ashtuquajturës demokraci shqiptare, përveç vajit të korrupsionit gjen me shumicë edhe drogë, para të pista, gjak, spermë, injorancë dhe mbi të gjitha pashpirtësi.

E vërteta është se ‘ora e Shqipërisë’ e ka zemberekun e saj, pra pluralizmin, vetëm ‘në letër’, formal. Tashmë është provuar se sistemi është kthyer në një qark të mbyllur, që komandohet nga kryetarët e dy-tre partive, të cilët pasi kanë vënë ligjin dhe Kushtetutën në shërbim të vetvetes, kontrollojnë zgjedhjet; që nga përpilimi i listave, mënyra e votimit, e numërimin dhe deri edhe vetë KQZ-në.

E gjitha kjo ka rezultuar me deformim të votës së shqiptarëve, duke bërë që vendi të kapë pikën kulmore të sundimit të korrupsionit dhe shkatërrimit të sistemit të drejtësisë.

Ky sistem ka bërë, që të futet në parlament krimi i organizuar, madje edhe ai ordiner. Kjo skemë nis që me shkatërrimin e demokracisë së brendshme nëpër partitë e ashtuquajtura të mëdha dhe përfundon, me një rotacion pushteti sistematik mes tyre, sipas parimit: kontrolli i votës sjell pushtet, pushtet do të thotë para të grabitura nga taksapaguesit, me të cilat mbahet pafundësisht në këmbë kjo ngrehinë kriminale, që pasuron një grusht njerëzish dhe varfëron mbi 90% të shqiptarëve.

Çdo parti e re ‘ëndërrimtare’ që guxon dhe krijohet në rrethanat e këtij sistemi të pashpresë, lind e vdekur. Ose në rastin ‘më të mirë’ përfundon e përshtatur në ingranazhet e zemberekut të mbushur me ndyrësitë, që përshkruam më lartë.

Nëse ambasadori Lu ka në mendje seriozisht një ‘orë shqiptare’, që ka nisur të bëjë ‘tik-tak’ dhe nëse nuk e ka kuptuar vetë këto 4 vite shërbim në vendin tonë, dikush duhet ti thotë se asaj i është bllokuar e prishur në mënyrë ‘kodike’ zembereku. Ai dhe burokratët e BE-së duhet të deklarohen qartë dhe përfundimisht, se në Shqipëri nuk ekziston pluralizmi i vërtetë, por diktati i disa individëve dhe grupeve me interesa oligarke.

Nëse dritat e prozhektorëve nuk hidhen më në fund mbi këta ata që kanë uzurpuar partitë e tyre duke kapur edhe sistemin, me të vetmin qëllim që po e ripërsërisim; vota e grabitur, e detyruar, e blerë dhe e manipuluar, sjell pushtet; pushteti sjell pasurim; atëherë jemi duke gënjyer popullin shqiptarë me lugë bosh, imazhe e mirazhe.

E vetmja shpresë që ka ky vend përfundimisht është çuarja e ‘orës shqiptare’ për skrap, ose më e drejtë, dorëzimi si precedent studimi, për ‘ufologët’ e studimeve politike e historike.

Pas kësaj, e vetmja rrugë që ka Shqipëria për tu bërë ‘si gjithë të tjerët’ të paktën është, instalimi urgjent i ‘orës amerikane’ apo ‘gjermane’, (pak rëndësi ka), duke çliruar kështu nëpërmjet një sistemi krejtësisht të ri zgjedhor votën e lirë dhe rithemeluar njëkohësisht partitë e atrofizuara dhe kriminalizuara deri në gen, që janë faktikisht burim i burimeve të deformimit të demokracisë.

Ambasadori Lu dhe gjithë homologët e tij të BE në Tiranë e dinë mirë, që vota e lirë është në bazë të Kushtetutave të vendeve të tyre dhe kushdo që e prek, shpallet armik i kombit. Sepse popujt, klasa politike dhe qeveritë e tyre përfundimisht janë të ndërgjegjshëm, se pa votë të lirë, nuk ka shtet të së drejtës, nuk ka prosperitet dhe mirëqenie ekonomike, nuk ka reforma, nuk ka zhvillim.

Mbi të gjitha nuk mund të punojë zembereku i orës së demokracisë; pluralizmi i vërtetë.

‘Ora amerikane’ bën, që edhe astronautët jashtë orbitës së globit të votojnë me vullnet të lirë, kurse ajo shqiptarja ta ble dhe vjedh votën, edhe në shtratin bashkëshortor.

 Cila orë po bën ‘tik-tak’, zoti Lu?!