Reformimi i Akademisë së Shkencave/Ish-ministri i Arsimit të Ramiz Alisë kryeson grupin e punës...

Skënder Gjinushi, kreu i PSD-së, ish-ministër i Arsimit në qeverinë e fundit komuniste, do të kryesojë grupin e punës të propozuar nga Ministria e Arsimit për reformimin e Akademisë së Shkencave.

Gjinushi mësohet se ka drejtuar mbledhjen e zhvilluar sot me qëllim reformimin e kësaj akademie.

Vetëm pak kohë më parë Akademia e shkencave organizoi zgjedhjet për drejtuesit e rinj të saj, por zgjedhjet u kontestuan nga qeveria që vendosi edhe për ndërprerjen e financimeve mbi këtë institucion.

 “Sot, në Akademinë e Shkencave u zhvillua një mbledhje e zgjeruar. Morën pjesë përfaqësues të instituteve e qendrave të kërkimit shkencor në universitete e më gjerë dhe Grupit të Punës për hartimin e projektligjit “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë” dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij, grup i ngritur me urdhër të ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, nr. 29, datë 16 janar 2018”, ishte njoftimi zyrtar i Akademisë së Shkencave.

Skënder Gjinushi prej 8 vitesh ndodhet jashtë Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa pas zgjedhjeve të 1997, ai ka mbajtur postin e Kryeparlamentarit deri në 2001-in.