Lista (e skandaleve) Basha...

Mesi i fushatës së 25 Qershorit në Shkodër..., një qytetar përballet me të parin e kandidatëve të PD-së në qytet dhe i drejtohet Romeo Gurakuqit plot pathos demokrat me fjalët përbetuese: "Dihet ma, vota jonë veçse për PD-në".

Por aty për aty kandidati mançurian i PD-së ia preu hovin demokratit shkodran duke u munduar ti implantonte një tjetër fjalë në mendjen e tij prej qëndrestari duke i kërkuar që në 25 Qershor të votonte për një farë..., "Lista Basha, vetëm Listën Basha"- përsëriste mançuriani Gurakuqi.

Aty për aty demokrati shkodran e pa vjedhtazi kandidatin që e dinte të PD-së (se helbete e kishte parë në mitingun e partisë), e me gjasë duke pyetur veten "ç'dreqin asht i kja lista Basha mar, a ka hup PD-ja aa?!...". E gjitha kjo, nuk është një trill për ta bërë shkrimin fiction, por një ngjarje e vërtetë që ka ndodhur në mes të ditës, në mes te fushatës së se 25 Qershorit, në mes të Shkodrës.

Në mesin e tollovisë që prodhoi fushata kuturu e PD-së së dalë e dërrmuar nga çadra, ajo që e shtoi akoma më shumë paqartësinë e votuesit demokrat ishte edhe shpërndarja nën rrogoz e termit Lista Basha. Këshilltarët "mizerabël" me shumë mundësi janë edhe ideatorët e kësaj mendësie që besohet se e bënë PD-në të merrte rezultatin më të keq historik elektoral, por mesa duket demokratët ende nuk kishin parë asgjë.

Nuk është më një analizë e re të thuash se Republika e Re, Lista Basha dreqi dhe i biri kanë lindur të vdekura dhe po e gjymtojnë opozitën mu si ai fetusi pa jetë në bark të nënës që po i merr jetën dhe lehonës. Por sot më shumë se kurrë simptomat e vdekjes klinike të një politike pa shenja jete, shkaktojnë një zhurmë aq shurdhuese të defribrilatorit, saqë që po e mbyt opozicionin shqiptar.

Sot skandalet që prodhon Lista Basha, i bëjnë të duken zullumet grabitqare të klanit të Edi Ramës në pushtet si arritje historike të një Shqipërie në kataklizëm në zhvillim e sipër. Është e paimagjinueshme shterpësia e një grupi parlamentar të shpartalluar, pa ide, pa busull, pa vizion e pa din e pa iman që po mbyt shpresën. Sot, jo pa baza po forcohet bindja së shqiptarët nuk po ikin se u zhgënjyen nga një mashtrues kalibri si Edi Rama, jo dhe jo!

Sot po ata, shqiptarët po çajnë ferrën e po përbëjnë numrin 1 të azilkërkuesve në Francë e jo vetëm, sepse e shohin që Lista Basha nëse larg qoftë do të merrte pushtetin nesër, nuk do të ndryshonte asgjë me paturpësinë e sharlatanizmin që karakterizon sot klanin sundimtar Rama. Sot PD-ja është nën akuzë se akoma pa e marrë pushtetin nesër, nuk do të bëjë asgjë më shumë sesa bëri PS-ja dje sapo vuri këmbë në pushtet. Dhe faktet që e bëjnë të besueshme ketë krahasim ogurzi nuk mungojnë.

Fakti që kandidatet e Beratit Juvina Jani e Monika Qosja firmosin letrën dorëheqjen e shkruar nga e njëjta dorë, me të njëjtat gabime ortografike, "me vullnet të lirë", në të njëjtën ditë që Eduard Halimi vendos të lërë PD-në për të parë hesapin e vet është një skandal. E gjitha kjo, vetëm e vetëm që Astrit Veliaj të marrë mandatin për të bërë në Kuvend atë bëri në 2013-2017 (asgjë), edhe ky është një tjetër skandal.

Dhe ky skandal nuk ka asnjë ndryshim me atë PS-së që detyroi me forcë dy kandidate në Lezhë të tërhiqeshin e ti lironin vendin Arben Ndokës. Lulzim Basha mund t'i hakërrehet sa të dojë gazetares së Vizion Plus se Astrit Velia ngjan me Arben Ndokën po aq sa ngjan televizioni i saj me një gomone kanabisi, turpin në këtë rast ai ndan njësoj me Edi Ramën.

Që skandali të bëhet siamez, tashmë duhet vetëm të presim që Astrit Veliaj të qëllojë me grushte në korridoret e kuvendit ndonjë koleg socialist të Gent Strazimirit. Sot PD po përgatit njësoj ta dalë në mbrojtje të sms-se rouge të sekretarit të Grupit të PD me bashkëbiseduesin GD.

Heshtja është pranim thotë ligji i ekonomisë së tregut, edhe "ekonomia politike" njësoj e ka. Shkëmbimi i sms-ve është një çështje krejt personale, aq më tepër për një djalosh të ri 27 vjeçar, beqar, qoftë dhe deputet makar. Ama heshtja përballë një opinioni publik që mend se s'po pëlcet nga fakti se në kohën kur PD ka thirrur në interpelancë Ministren e Drejtësisë e cila ka firmosur në mënyre kriminale ekstradimin e një dëshmitari potencial për dosjen më të fortë që opozita ka ngritur deri tani, Sekretari i Grupit të PD nuk e ka dhe aq mendjen, kjo e bën të duket mungesën njerëzore të përqendrimit në Kuvend, një skandal.

Komentet janë të tepërta, reagimi zyrtar do të ishte i mirëpritur në mos i detyruar me përcaktim. Pse? Sepse skandalet apo sandalet që kane mbuluar PD-në vetën harkun e 4 ditëve, nuk po e lënë partinë kryesore të opozitës të ngrejë kokë. Kjo sepse të angazhohesh kaq fort për te bërë deputet Astrit Veliajn i cili edhe pse ishte deputet në 2014-ën mbylli të vetmin televizion opozitar që kishte dhe i çoi selam Aneta Ramës: "pa merak se do ta mbyllim gojën", është skandal.

Për të mos thënë që pasi mbylli të vetmin TV opozitar që kishte mbetur në atë kohë, deputeti më i ri i Listës Basha ndërtoi një kryevepër arkitekturore shkollore ne Durrës me betonin e Gjushit. Bisedat rouge në sallën e Parlamentit janë po aq rënduese për moralin e një partie që mëton qashtërsinë në moralin politik.

Dorëheqja e Eduard Halimit që nuk do të jetë më deputet opozite vetëm e vetëm për të parë portofolin e vet, nuk e bën atë më pak të ndryshëm se shqiptarët që ikin nga sytë këmbët edhe sepse nuk besojnë tek famozja Lista Basha.

A nuk janë të gjitha këto që thamë më lart një konfirmim i të gjithë atyre kundërshtarëve të Ramës dhe kritikë të Bashës, që thanë në krye të herës se Lista Basha ishte një dështim pa integritet moral? A nuk janë këto provat reale se tentativa për të zëvendësuar Jozefina Topallin, Astrit Patozin e Ritvan Boden apo edhe Belind Këlliçin me Listën Basha, sot kanë dështuar njëherë e mirë? Nëse edhe PD-ja është përfshirë nga sindromi "nuk kemi parë akoma asgjë", atëherë lum Rama e mjer Shqipëria...

P.S... sa për dyshuesit ju betohem që këtë shkrim e kam shkruar përpara se ta botoja...