Humbja e Ramës me Baçin…

Armando Duka u zgjodh kryetar i FSHF për të pestën herë, pra duke mbajtur postin e drejtuesit për 20 vjet. Duka fitoi me një rezultat të qartë, 38 vota kundrejt të 24 votave të grumbulluara nga kundërshtari i tij, kandidati politik i mbështetur nga Rama dhe klienti i tij, Presidenti i Partizanit Gaz Demi.

Armando Duka ishte një kandidaturë e fortë, me avantazhet dhe dizavantazhet përkatëse, por fitoren ja bëri të sigurtë frika tek të gjithë se Rama po shtrinte kthetrat edhe në futboll. Frika se klientela e Ramës po kërkonte të vendoste nën kontroll edhe futbollin. Frika se me zgjedhjen e Finos në krye të FSHF do të fillonin spastrimet edhe në të gjithë klubet, siç ka vepruar Rama me të gjithë administratën publike.

Armand Duka fitoi thellë për herë të pestë sepse në fakt humbi thellë Baçi, i cili mund të konsiderohet kandidati më i dobët i mundshëm përballë Dukës. Se të gjithë e dinë shumë mirë se Baçi ishte një personazh politik i sponsorizuar nga Rama përmes vëllait të tij Olsi Rama. Se kudo thuhet se Baçi ishte pjesë e lojës së Gaz Demit për të kontrolluar futbollin përmes Olsi Ramës i cili vetëm pak kohë më parë u parashutua Drejtor i Partizanit. Se të gjithë ata që kalojnë kohën në kafenetë e Tiranës së re e dinë se Baç Fino njihet si lolo i Gaz Demit që konsumon kohën më të madhe duke vënë baste dhe luajtur tavëll te lokalit i Gazit. Se Baçi do të ishte vetëm një kukull në krye të FSHF fijet e të cilit do ti lëvizte Rama, Olsi apo Gazi.

Baç Fino nga ana tjetër ishte i pasigurtë sepse e kuptoi që po përdorej. Se nuk kishte asnjë shans të fitonte. Se e ndjeu që Rama donte ta kontrollonte FSHF me të vëllain por nuk u angazhua seriozisht për Baçin. Prandaj dhe nuk e dha dorëheqjen si deputet gjë që ja zbuloi frikën e humbjes.

Tani që Bashkim Fino humbi këtë garë duhet që Gjykata Kushtetuese të shprehet për mandatin e tij sepse ashtu si miku i tij i vjetër Tak Ngjela që u largua nga parlamenti kur kandidoi përballë Edi Ramës për bashkinë e Tiranës ashtu ehe Baç Fino duhet të largohet nga parlamenti. Dhe kështu duhet të marrë një mësim të mirë edhe Baçi dhe kushdo tjetër që në të ardhmen do të futet në lojra të tillë.

Por Baçi vazhdon i qetë në kuvend duke u kapërdisur me puro në gojë. Sepse ai nuk e konsideron humbjen si humbjen e tij por si humbjen e Ramës. Si humbjen e Olsit. Si humbjen e Gazit. Se vetë as që kishte ndonjë dyshim se do të fitonte.

Syri.net/ 7 shkurt 2018