Deklarata surprizë e Ramës: Nëse hyjmë në zgjedhje sot humbasim Tiranën si në 2011. Ja lëvizjet në PS...

Kryetari i Partisë Socialiste, njëherëz edhe Kryeministër, Edi Rama, ka nisur riorganizimin e kësaj force politike në Tiranë, pas largimit të Sajmir Tahirit nga funksionet drejtuese partiake, që nga momenti kur është marrë nën hetim për lidhjet me trafikun e drogës me grupin e Habilajve.

Me lëvizjet më të fundit në selinë e PS-së, duket se Rama nuk është i kënaqur me strukturat e kësaj partie në kryeqytet, që tashmë drejtohen nga Blerina Gjylameti.

Rama duket se ka vendosur të përforëcojë strukturat në Tiranë, madje ka paralajmëruar se nëse hyjnë sot në zgjedhje, e humbasin bashkinë si në 2011. Nuk dihet nëse ky paralajmërim i Ramës bazohet në ndonjë sondazh të bërë nga PS apo agjensi të kontraktuara prej saj, apo është një paralajmërim edhe ndaj kryebashkiakut Erjon Veliaj.

“Investimet që po kryen në Tiranë nuk përputhen me mbështetjen edhe votat që kemi marrë”, mësohet të jetë shprehur Rama , duke artikuluar në këtë mënyrë edhe një pakënaqësi ndoshta në drejtim të mënyrës sesi Bashkia e Tiranës po përqëndron investimet.

Referuar të dhënave nga Partia Socialiste, Rama ka ofruar Sadri Abazin nga Bashkia e Kamzës në Njësinë nr 4 në Tiranë, sikundër Klotilda Ferhati është deleguar në Njësinë nr 3, në vend të ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila është deleguar më parë në Dibër si drejtuese e strukturave në rang qarku.

Ulsi Manja është deleguar në njësinë nr 11 në Tiranë, në vend të Rakip Sulit që është deleguar në Kamëz.