PD denoncon marrëveshjen Marku-Xhafaj: Antikushtetuese, po bëjnë SPAK privat

Partia Demokratike ka denoncuar sot marrëveshjen mes Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Prokurores së Përgjithshme të përkohshme Arta Marku, marrëveshje që e vendos Prokurorinë në shërbim total të Saimir Tahirit dhe prishjes së hetimit ndaj tij.

Deputetët Oerd Bylykbashi e Enkelejd Alibeaj dhe Këshilltari Juridik Gazment Bardhi dhanë një konferencë në selinë e Partisë Demokratike për zhbërjen e Reformës në Drejtësi dhe SPAK. Ata bënë të njohur, problemet e rënda ligjore dhe  prapaskenat që fsheh marrëveshja e siotme Xhafaj - Marku: "Caktimi i prokurorëve që luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin do të duhet të bëhen pas skanimit të integrimit të tyre nga organet e Vetingut, por ky rregull i ligjit shmanget nga marrëveshja e sotme e bashkëpunimit, sepse prokurorët do të duhet të kalojnë çertifikimin nga KLP që është nën drejtimin e Kryeministrit.

Po ashtu, dosja e Saimir Tahirit nuk do të jetë më në dorë të prokurorëve, por me urdhër të Prokurores së Përgjithshme i kalon prokurorëve të besuar të qeverisë.

Shteti i së drejtës bazuar në Kushtetutë e ligj ka rënë dhe po bazohet në memorandume që qarkullojnë në zyrat e pushtetit. Qëllimi është i thjeshtë që Edi Ramës i zhytur në zullume, i duhet një Prokuror i Përkohshëm privat që ka luksin të ketë marrëveshje afatgjata dhe duket qartë se Kryeministrit i duhet ta mbajë sa më gjatë që të bëjë hetimin siç e do ai.

Kështu Rama krijon edhe SPAK-un privat sepse do të jetë Ministri i Brendshëm sipas marrëveshjes, që do t’i tregojë punën, Prokurorisë së Përgjithshme. Kjo i garanton imunitetin Ramës për vitet e ardhshme," deklaruar demokratët.