Nxënësit dhe Ermal Mamaqi i bashkohen aksionit për mbjelljen e pemëve

Fëmijët e shkollave të Tiranës janë aleatët më të mirë të nismës “Dhuro një pemë”, e cila do të kulmojë në 21 Mars, në Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve.

Rreth 100 nxënës të shkollave “Montessori” dhe “Protagonistët” iu bashkuan dje punonjësve të Bashkisë së Tiranës, për të mbjellë fidanë të rinj ulliri e mimoza në kodrat e Parkut të Liqenit Artificial. I ftuari special për fëmijët ishte edhe aktori i njohur i humorit, Ermal Mamaqi.  

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e cilësoi fantastik pjesëmarrjen e vajzave dhe të djemve të vegjël të qytetit dhe një inkurajim që kjo nismë të ecë edhe më tej. “Jemi shumë afër rekordit tonë prej 100 mijë pemësh, por rekordet nuk thyhen vetë, por nga rekordmenët.

Ndaj më vjen mirë që rekordmeni ynë i mbjelljeve, Ermal Mamaqi, ka mbjellë me një lopatë 5 pemë njëkohësisht. Përtej humorit, është inkurajim fantastik kur shoh djem e vajza të vegjël që janë përfshirë në këtë fushatë mbjelljesh. Do të thotë se po krijohet një lidhje me qytetin”, tha Veliaj.