Opozita, akuza të tjera Ramës: Me ekstradimin e Seitit, kërkon të shpëtojë Tahirin

Opozita e ka akuzuar sërish Kryeministrin Edi Rama sot se po tenton të kapë organet e reja të Drejtësisë si KLP-në dhe KLGJ-në me synimin për të mbrojtur ish-ministrin e saj Saimir Tahiri, por se opozita nuk do ta lejojë.

Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi foli nga Kryesia e Kuvendit përpara nisjes së nënkomisionit për zgjedhjen e anëtarëve të KLGJ e KLP.

"Qeveria me bandat kriminale, - tha deputeti, -  është hedhur në sulm për të mbrojtur banditët. Në vend të dorëzojë kriminelë të dënuar për trafiqe droge si Agron Xhafaj i liron me vendim gjykate.

Ndërkohë që persona të dënuar për trafik droge si në çështjen e famshme Habilaj të dënohen, dëshmitari kyç në hetim (Nezar Seiti) me vendim gjykate transferohet në Itali vetëm që të mbulojë Tahirin dhe Habilajt.

Edi Rama është i vendosur që me kapjen e KLGJ dhe KLP të mbrojë Tahirin sepse mbron veten e vet. Ne nuk e lejojmë këtë sepse pa u dënuar Tahiri, Edi Rama nuk mund të bëjë drejtësi."