Zvicër, shqiptarët sherr në rrugë për dritat e gjata, dy të plagosur me gërshërë

Një shtetas nga Kosova, 32 vjeç, e dy nga Shqipëria, 34 e 41 vjeç, janë përleshur të premten në Zvicër dhe dy të fundit janë përgjakur pasi janë goditur me gërshërë në krahë e gjoks.

Fillimisht është menduar për larje hesapesh, por më pas policia zvicerane ka arritur të zbardhë sherrin, duke arritur në konkluzionin se tre personat e përfshirë në sherr nuk njiheshin me njëri-tjetrin dhe sebep janë bërë dritat e gjata të njërës prej makinave.

Sipas komunikatës së policisë, konflikti ka nisur pranë Biascas, qytet në kantonin e Ticinos.

Makinat ndaluan në Bellinzona Nord në korsinë e emergjencës. Agresori mori gërshërët që mbante në kruskot dhe goditi dy të tjerët pasi u rrah prej tyre. Dy të plagosurit janë ende në gjendje të rëndë në spital, por jashtë rrezikut për jetën.

Autori i plagosjes tani përballet me akuzën për vrasje të mbetur në tentativë.