Ekstradimi i financierit të Habilajve, ish-ministri ka 3 pyetje për Arta Markun

Ekstradimi i djeshëm i Nezir Seitajt në drejtim të Italisë, ku ndodhet edhe pjesa tjetër e organizatës ku ai bënte pjesë, ka sjellë pikëpyetje të mëdha.

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka bërë 3 pyetje në drejtim të Prokurores së Përkoheshme, Arta Marku.

Sipas Manjanit, duhet të sqarohen arsyet se pse u ekstradua anëtari i bandës së ‘Habilajve’.

Ja çfarë shkruan Ylli Manjani në Facebook:

Ekstradimi i “sikletit”.

—————

Ende presim një sqarim nga Prokuroria e Përgjithshme mbi lejimin e ekstradimit të N.S!

Lajmi që u përhap dje që Ministria e Drejtësisë e kishte bërë ekstradimin pa pyetur drejtësinë, nuk rezultoi i vërtetë.

Tani topi është në fushën e zonjës Arta Marku. Ajo duhet të na sqarojë:

1. Kishte apo jo çështje penale në ngarkim të N.S, në proces nga prokuroria shqipëtare?

2. A u arrestua ky person nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si pronar i drogës së kapur në Vlorë në shtatorin e vitit të shkuar?

3. Nëse po, pse e lejoi ekstradimin duke mos njoftuar Ministrinë e Drejtësisë?

——————-

Një sqarim ligjor për ata që nuk merren me këtë gjë: personi ndaj të cilit po heton prokuroria shqiptare, nuk mund të ekstradohet pa përfunduar hetimi dhe gjykimi. Ky është standart ligjor i yni dhe çdo shteti.

Gjithashtu Ministri i Drejtësisë kur vendos ekstradimin ose jo i referohet ekskluzivisht materialeve që vijnë nga Prokuroria e Përgjithshme. Prokuroria është institucioni që zbaton vendimet penale dhe që ngre akuze e bën hetime për çdo shtetas.

—————-

Dyshimi se e vunë në krye të Prokurorisë për të mbyllur dosjet e medha, të paktën deri tani, është i provuar!

Përgjegjësia ligjore për largimin e N.S është direkt mbi Arta Markun!

Qeveria për momentin mbrohet nën petkun e saj! E bën atë përgjegjëse. Ndonëse shpejtësia me të cilën e vendosën dhe e ekstraduan, provon nevojën që vetë qeveria kishte për ta larguar atë “siklet”...

Presim zonjën Marku të sqarojë pozicionin e saj dhe të Prokurorisë.

Shpresoj të mos ketë vënë në dispozicion të “hallit” të qeverisë ndonjë numër bosh të lënë në protokoll...

Sidoqoftë Heshtja e bën me faj!