Noka: Eksodin e shqiptarëve, atë që s'e bëri asnjë pushtues, e bëri Edi Rama

Ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka ka ngritur zërin në Kuvend për largimin në masë të qytetarëve nga Shqipëria. "Shqipëria po zbrazet" ka theksuar Noka dhe e ka drejtuar gishtin tek qeverisja e dështuar. 

"Çdo gjë që sillni në këtë parlament, - tha Noka, -  nuk ka lidhje me atë që përjetojnë shqiptarët por vetëm me një realitet virtual që sillet e pështillet në kokën e Kryeministrit tonë. E keni parë raportin e fundit që thotë se numri i atyre qëpo largohen nga vendi është më i madh se ai vitit 2015, që është viti i eksodit biblik të shqiptarëve?! A mos jemi më keq në këto shifra sesa Siria e futur në një luftë të përgjakshme? Nuk e kuptoni se kjo është një protestë e mjerimit dhe skamjes, e pasigurisë në të cilën keni futur shqiptarët? Nuk e kuptoni se kjo është një revoltë e madhe që njerëzit bëjnë ndaj një qeverie që nuk punon për ta? Pse nuk merreni ju me këtë çështje? Me këtë plagë? Se dhe në këtë moment janë me qindra shqiptarë të nisur drejt Rinasit e pikave të tjerave kufitare...Po zbrazet Shqipëria, të dashur kolegë!. Atë që s’e bëri asnjë pushtues, ndër më të egrit e këtij vendi, po ia bën shqiptarëve Edi Rama. Po i përzini shqiptarët! 250 mijë shqiptarë!"nënvizoi Noka.