Rama-Tsipras, çfarë do të diskutohet në takimin 90 minutësh...

Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij grek Aleksis Tsipras pritet të takohen sot në Davos. Takimi është paralajmëruar disa ditë më parë, ndërsa mësohet se ai do të zgjasë për rreth 90 minuta.

Në takim pritet të diskutohen disa çështje, të cilat duket se kanë qenë pjesë e bisedimeve dhe negociatave që kanë zhvilluar më parë ministrat e Jashtëm të të dy vendeve, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias, në lidhje me ato që konsiderohen si probleme të pazgjidhura për 70 vjet.

Nga takimet e zhvilluara në Kretë dhe Korçë, Bushati dhe Kotzias janë shprehur optimistë në lidhje me ecurinë e negociatave, ndërsa nuk kanë dhënë detaje mbi çështjet që janë dakordësuar dhe ato që kanë mbetur pezull.

Por pas këtyre takimeve, ka nisur kërkimi për eshtrat e ushtarëve grekë të rënë në luftën Italo-Greke, gjë që ka sjellë reagimin në Shqipëri të çamëve, që kanë akuzuar qeverinë shqiptare dhe Kryeministrin Edi Rama se nga bisedimet ka avancuar axhenda greke, por jo ajo shqiptare.

Bushati dhe Kotzias kanë deklaruar se çështjet e diskutuara do të bëhen publike nga Kryeministrat e dy vendeve, ndërsa Edi Rama në një deklaratë të para pak ditëve është shprehur se gjithçka që do të dakordësohet do të përfshihet në një marrëveshje të re. Rama është shprehur optimist për heqjen e ligjit të luftës nga Greqia, duke e cilësuar atë si një dokument që do i përkasë historisë.

Nuk dihet nëse në takimin e sotëm që do të mbahet në kuadër të forumit ekonomik të Davosit, Kryeministrat e dy vendeve do të dakordësojnë çështjet që janë diskutuar në dy takimet e ministrave të Jashtëm.