Ndërkombëtarët e kërcënojnë hapur Kosovën: Mos guxoni ta shfuqizoni Gjykatën Speciale!

Shfuqizimi i Gjykatës Speciale, është tema aktuale që çdo ditë po shqetëson stafin diplomatik në Kosovë. Nisma e 22 dhjetorit të vitit 2017, ngjalli reagime të ashpëra te ambasadorët, mirëpo deklaratat e atyre nuk i bënin përshtypje iniciatorëve dhe krerëve të lartë të shteti.

Gazeta Express, sjellë për lexuesit përmbledhjet e ditës së mërkurë nga të gjithë fytyrat publike e po ashtu edhe nga krerët diplomatikë.

Porositë e ndërkombëtarëve ishin të qarta që në fillim, e kjo gjë u morë vesh edhe mbrëmë nga disa burime diplomatike të Gazetës Express.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, që kërkuan shfuqizimin e Gjykatës Speciale, nuk do të mund të marrin më viza. Emrat e 43 prej tyre, siç ka mësuar Gazeta Express, nga burimet diplomatike, kanë hyrë në një listë të zezë të përpiluar nga shtetet mike të Kosovës.

Nismës së deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale, ia kanë parë sherrin deputetët që e kanë vënë nënshkrimin e tyre në mbështetje të saj.

43 deputetët, që në vitin e kaluar kanë nisur procesin e shfuqizimit të Gjykatës Speciale, janë futur në një listë të zezë për viza. Ata nuk do të mund të pajisjen me viza nga shumë shtete perëndimore, mike të Kosovës. Gazeta Express ka mësuar se të gjithë deputetët do të penalizohen dhe më poshtë keni listën e deputetëve:

Nait Hasani, Nezir Çoçaj, Luljeta Veselaj Gutaj, Xhevahire Izmaku, Abdyl Salihu, Fadil Beka, Ganimete Musliu, Flora Brovina, Mergim Lushtaku, Sala Berisha Shala, Memli Krasniqi, Emilja Redzepi, Etem Arifi, Duda Balje, Albert Kinolli, Bahrim Shabani, Danush Ademi, Shkumbin Demaliaj, Ahmet Isufi, Teuta Haxhiu, Time Kadriaj, Rasim Selmanaj, Bekë Berisha, Blerim Kuçi, Gani Dreshaj, Muharrem Nitaj, Daut Haradinaj, Bekim Haxhiu, Hajdar Beqa, Evgjeni Thaçi Dragusha, Mexheide Mjaku Topalli, Blerta Deliu Kodra, Safete Hadërgjonaj, Andin Hoti, Zenun Pajaziti, Milaim Zeka, Enver Hoti, Albulana Balaj Halimaj, Zafir Berisha, Haxhi Shala, Bilall Sherifi, Islam Pacolli dhe Labinot Tahiri dhanë nënshkrimet për të kërkuar shfuqizimin e Speciales.

Nisma e deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, pasoi një peticion të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të cilin kërkonin nga Kuvendi i Kosovës ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Se shfuqizimi i kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare kishte  me pas pasoja dhe do të humbte ndihmën e shteteve të fuqishme, është thënë vazhdimisht. Ndërsa mbrëmë, Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë Nataliya Apostolova ka thënë se, nëse Kuvendi i Kosovës e shfuqizon Gjykatën Speciale, do të bëjë që Kosova të njihet si partner jokredibil.

“Do të nisi prej këtu. Para dy vjetësh, Kuvendi i Kosovës ratifikoi këtë obligim ndërkombëtar, pra themelimin e Gjykatës Speciale. Nismën për shfuqizimin e Speciales ne në BE e shohim si nismë për shfuqizimin e një detyrimi ndërkombëtar dhe kjo po bëhet njëanshëm. Prandaj kjo lë një përshtypje negative që Kosova jep si partner që nuk u përmbahet obligimeve. E bën partner jokredibil. Me fjalë tjera: Gjykata Speciale ka një mandat shumë të rëndësishëm, do të merret me përgjegjësinë individuale të njerëzve që kanë kryer krime të tmerrshme. Nëse e shikojmë çka thotë raporti, nuk kemi nevojë as të komentojmë”, ka thënë ajo në Express të KTV-së.

Apostolova ka thënë se kjo gjykatë nuk është kundër Kosovës. Sipas saj, Specialja është për Kosovën, “për shkak se shoqëria dhe institucionet do të dëshmojnë se janë të qëndrueshme dhe të fuqishme vetëm nëse ballafaqohen me të kaluarën, vetëm nëse mund të dëshmojnë se janë të gatshme për t’u ballafaquar me të shkuarën”.

Ajo është shprehur e bindur se populli do të donte të dinte nëse ka njerëz që kanë kryer krime të tmerrshme.

“Aty janë edhe viktimat, e viktimat kanë nevojë për një lloj hakmarrjeje për çfarë ka ndodhur. Kam përshtypje se roli i Speciales është paraqitur gabimisht te opinioni publik, prandaj edhe reagimet e fuqishme tash që e mohon mandatin e vërtetë të gjykatës. Nuk po flasim për spastrimin etnik, për përgjegjësinë kolektive të UÇK-së apo të një grupi njerëzish. Është përgjegjësia individuale për krimet që janë kryer”, ka thënë ajo.

Nëse Gjykata Speciale do të shfuqizohet, Apostolova thotë se Kosova do ta izolojë veten. Ajo thotë se Kosova mund të humbë ndihmën e partnerëve.

“Shumë shpresoj se nuk do të shfuqizohet. Dhe sinqerisht jam duke punuar shumë në këtë drejtim së bashku me kolegët e mi, ambasadorët e BE-së të SHBA-së, për shkak se jemi të brengosur, nuk duam që Kosova ta izolojë veten. Nuk duam që t’ia mohojmë Kosovës ndihmën tonë, që mund të jetë njëra nga pasojat. Por, të jem e qartë, nuk jemi në pozitë, si diplomatë që e përfaqësojmë bashkësinë ndërkombëtare, të përzihemi në punët e brendshme. Atë që bëjmë kur takohemi me partitë politike e zyrtarët, është vetëm t’ua tërheqim vëmendjen për pasojat dhe atë që mund të ndodhë po u shfuqizua ligji”, është shprehur Apostolova.

Qëndrimin për shfuqizimin e Gjykatës Speciale e ka ndyshuar Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaci.  Ai thotë se në këtë proces ka qenë pasiv e jo interferues.

“Raporti i Dick Martyt ka qenë i hapur dhe gjithë njerëzit kanë qenë dhe janë në proces të tillë, tash e 20 vite kjo është çështja më e vogël preokupuese, e ne kemi kohë më të mençur sesa të shpenzojmë kohë për të menduar për Specialen. Ky është çmimi më i vogël që mund të paguaj secili që ka luftuar. Partneritetin me perëndimin e kanë krijuar njerëzit që kanë luftuar e jo ata që s’kanë besuar në pavarësi”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka folur edhe për deklaratat e ambasadorit Delawie, duke thënë se me të ka raporte të mira dhe takohet pothuajse çdo ditë.

“Qeveria është e ndarë dhe unë nuk do të votojë për punën e ndonjë grupi parlamentar. Unë kategorikisht refuzoj sjelljen brutale të çdokujt kundër grupeve parlamentare apo deputetëve individualisht, sepse ata janë zgjedhur nga populli. Kosova ka obligime ndërkombëtare dhe do t’i respektojë ato. Përderisa kjo Gjykatë të jetë në vend, njerëzit duhtet të sillen me përgjegjësi, dhe mos të shkaktojnë situata të jashtëzakonshme në situata normale. Askush nuk mund të kundërshtojë opinionin personal të asnjë deputeti, grupi parlamentar, apo partie politike, por një gjë është e sigurt, Kosova drejtohet nga njerëz që janë zgjedhur nga populli”, ka theksuar presidenti i Kosovës.

Ndryshe nga Presidenti i Kosovës, është duke vepruar Kryeministri Ramush Haradinaj. Kryeministri vazhdon të jetë pro shfuqizimit të Gjykatës Speciale.

Dje në një konferencë për media ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk do t`u japë llogari ambasadorëve, por vetëm Kuvendit për vendimet që merr.

Kështu ka deklaruar kreu i ekzekutivit Ramush Haradinaj, i pyetur lidhur me deklaratat e shefes së zyrës së BE-së për nismën e shfuqizimit të Gjykatës Speciale dhe ratifikimin e demarkacionit.

“Dhomat e posaçme janë iniciativë e parlamentit. Ne i japim llogari vetëm Parlamentit se ai na ka zgjedhur, nuk u japim llogari ambasadorëve. Ne nuk i kemi punëdhënës ata, punëdhënës e kemi Parlamentin”, ka thënë Haradinaj.

Këtu Gazeta Express kujton që Amerika i ka refuzuar vizën Kryeminstrin të Kosovës, me rastin e “ Lutjeve të mëngjesit”.

E derisa individë të caktuar nisin iniciativa për shfuqizimin e Specialës, në anën tjetër vetë Gjykata Speciale ka bërë të ditur se lista e avokatëve mbrojtës do të jetë shumë shpejt në dispozicion të të akuzuarve

Procesi i akreditimit të avokatëve në Speciale është duke vazhduar edhe më tej, të cilët do të jenë në dispozicion shumë shpejt të të akuzuarve për krime të luftës.

Avokatët që duan të marrin pjesë në këtë proces duhet të akreditohen. Zyra për shtyp e këtij institucioni ka bërë të ditur se është një numër i madh i avokatëve nga kombësi të ndryshme që kanë paraqitur kërkesën për akreditim.

“Procesi i pranimit në listën e avokatit është një proces i hapur, nuk ka ndonjë afat specifik për aplikim. Një numër aplikimesh janë pranuar deri tani nga avokatët e kombësive të ndryshme”, thuhet në përgjigje.

Se kur mund të fillojnë publikimet e para të aktakuzave gjykata ka ndërlidhur me atë se lista e avokatëve do të jetë në dispozicion shumë shpejt e cila do të jetë në shërbim të të akuzuarve për krime lufte.

“Meqenëse procesi i verifikimit është në vazhdim, ne nuk mund të japim informacione specifike, por Lista e Avokatëve do të jetë në dispozicion në faqen tonë në një fazë të mëvonshme. Procesi i pranimit në Listën e Mbrojtësve është një proces i hapur, pa afat të përcaktuar për dërgimin e kërkesave. Deri tani është pranuar një numër kërkesash nga avokatë nga shtete të ndryshme”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale dhënë për Indeksonline.

Sipas tyre, për momentin nuk mund të japin informacion konkret për arsye sepse procesi i përzgjedhjes është në vijim e sipër, por lista e avokatëve mbrojtës do të dalë në faqen tonë në internet në një fazë të mëvonshme.

Shfuqizimin e Specialës njëjtë si ndërkombëtarët e sheh edhe Edi Rama.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar në Davos të Zvicrës se Gjykata Speciale nuk është duke u rrezikuar të shfuqizohet.

"Mendoj se është proces i pakthyeshëm, edhe pse është me rëndësi që të ketë mendje të hapura për zgjidhjen më të mirë. Ideja e gjykatës nuk është në rrezik. Ka një debat për përmirësimin e saj dhe është një debat i mirë" ka thënë Rama.

Mandati i Gjykata Speciale për krime lufte, përkufizohet kryesisht në hetimet dhe gjykimet e rasteve të pretenduara të krimeve të luftës nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve, që përfshinë periudhën kohore nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000.