VIDEO/ Strakosha i jashtëzakonshëm, Lazio i shkëputet Interit

Lazio ka arritur të triumfojë me rezultatin 3-0 ndaj Udineses, në sfidën e prapambetur të javës së 12-të të Serie A, që ishte vendosur të rikuperohej pikërisht pasditen e sotme.

Skuadra e Inzaghit nuk e diskutoi për asnjë moment fitoren, duke arritur të mbajë e vetme vendin e tretë të renditjes, me 3 pikë më shumë se Interi ndjekës.

Ndeshja u zhbllokua nga një autogol i Samir në minutën e 22-të, ndërsa Luis Nani shënoi golin e qetësisë sapo filloi pjesa e dytë.

Goli që mbylli përfundimisht ndeshjen, u shënua vetëm 10 minuta nga fundi, nga fantazisti brazilian Felippe Anderson, që ishte një nga më të mirët në sfidën e sotme.

Gjithsesi, një meritë mjaft të veçantë në këtë fitore, pati edhe portieri shqiptar i lacialëve, Thomas Strakosha, që realizoi 2 pritje të jashtëzakonshme.

Fillimisht Strakosha bëri mrekullinë ndaj Barak, kur sfida ishte 1-0 për vendasit dhe më pas, kur rezultati ishte dyfishuar, ndali në mënyrë spektakolare De Paul dhe bëri që ndeshja të mos rihapej.